E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: Demontimi i armatimeve, jashtë qendrave të banuara

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, në një intervistë dhënë gazetarit Basir Çollaku në Mediasat, deklaroi se ministria ka një plan të qartë në lidhje me eliminimin e municioneve të rrezikshme për jetën e qytetarëve. Oketa tha se shkatërrimi i municioneve do të bëhet në mënyrë të programuar, në disa pika të kontrolluara jashtë qendrave të banimit. Ai tha më tej se brenda vitit 2010, municionet më të rrezikshme do të eliminohen. “Ka një plan veprimi i cili është bërë publik në muajin korrik të vitit 2008, një plan veprimi i cili është përgatitur nga ekspertët më të mirë shqiptarë nën asistencën e ekspertëve të huaj, një plan veprimi i cili ka filluar të implementohet dhe fatmirësisht suportohet edhe nga partnerët e huaj. Plani është konkret dhe parashikon që brenda vitit 2010 rreziku të reduktohet në zero”, - tha gjatë kësaj interviste Oketa. Ai shtoi më tej se këto qendra të kontrolluara janë të pozicionuara “në dy kombinatet kryesore në Mjekës dhe Poliçan”, si dhe po shihet mundësia që të përdoret “edhe fabrika (kombinati) e Gramshit që të merret me këtë aktivitet, por me kalibrat e vegjël të cilët janë më pak të rrezikshëm”.

Ministri i Mbrojtjes bëri të ditur se qeveria ka kaluar edhe një projektligj, i cili do të hapë mundësinë për krijimin e poligoneve të tjera për të shkatërruar në mënyrë të kontrolluar municionet e tepërta. “Ne kemi kaluar në qeveri një projektligj për miratimin e asgjësimit të disa poligoneve, për asgjësimin e një pjese të municioneve të tepërta, një projektligj i cili do t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë dhe besoj se edhe bashkëpunimi me pushtetin vendor dhe me të gjithë qytetarët shqiptarë nuk do të mungojë”, - deklaroi Oketa, i cili garantoi se demontimi do të jetë efikas për të eliminuar “98 mijë tonë municione të tepërta, por më duhet të theksoj se jo të gjitha klasifikohen si municione të rrezikshme”.

Më tej, gjatë kësaj interviste, Oketa u pyet nga gazetari Çollaku në rast se do të kandidojë për kreun e PD-së në Durrës. “Duke qëndruar tek pyetja juaj, do të doja të shprehja falënderimet për strukturat në Durrës, por personalisht unë gjykoj se nuk duhet të kandidoj për degën e PD-së në Durrës. Do të dëshiroja që në këtë degë të bëhej një garë e hapur, të kishte emra të rinj, alternativa të reja, pasi e kam bindjen dhe jam shprehur vazhdimisht referuar degës së Durrësit, qytetit tim, qytetit ku unë akoma vazhdoj të jetoj”, - deklaroi Oketa, i cili përjashtoi mundësinë e kandidimit të tij për PD-në e Durrësit. Oketa shtoi se “PD-ja e Durrësit ka goxha potencial, ka goxha figura të cilat realisht mund të japin kontributin e tyre, duke drejtuar degën e PD-së së Durrësit dhe duhen promovuar të rinj”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›