E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Rama, rrezik për të majtën

Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideron kryesocialistin Edi Rama rrezik për të majtën. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Petrit Vasili, referuar përplasjes mes Policisë Bashkiake dhe kryetarit të njësisë numër 3 në Tiranë, Ilir Kokona, i cili prej tri ditësh është lajmëruar se do t’i prishet shtëpia, tha se

Edi Rama ka vënë në funksion të hakmarrjes së tij politike pushtetin bashkiak, duke dhunuar e abuzuar me pronën, ligjet dhe jetën e njerëzve vetëm e vetëm se kryetari i njësisë 3 si dhe mijëra socialistë të tjerë nuk mendojnë si ai dhe ka bërë zgjedhjen e tij politike dhe prandaj Rama nuk ngurron të sillet me të duke u paraqitur më Berishë se Berisha vetë. “Ky njeri që drejton sot Bashkinë e Tiranës dhe PS-në e mbetur, është një rrezik shumë i madh për të majtën dhe të majtët, sepse ai u kërkon atyre të manipulojnë votat dhe të shiten për interesat e tij, i dhunon, i përzë, u mbyll gojën dhe i trajton më me egërsi dhe mllef, më keq se Berisha vetë”, - tha Vasili. LSI-ja vlerësoi se Rama si kryetar bashkie dhe kryetar i PS-së është për sot dhe nesër një rrezik evident dhe i madh për demokracinë, sepse me mentalitetin e tij dhunues të drejtimit dhe sjelljes politike kërcënon, shkatërron pronën dhe individin dhe identifikon pushtetin e zgjedhësve me vetveten, duke abuzuar e sjellë me shtetin dhe pushtetin si një Berishë i vërtetë më shumë edhe se Berisha vetë.

Shamku: Qeveria, demagogji me politikat arsimore

Kryetarja e Komisionit të Arsimit në Asamblenë Kombëtare, Ledi Shamku, reagoi dje ndaj deklaratave të Kryeministrit Sali Berisha në lidhje me arsimin dy ditë më parë. Sipas saj, fjalimi i Kryeministrit dje për arsimin qe një tjetër sajesë bajate për veshët e shqiptarëve, të cilët vuajnë përditë pasojat e një politike që e ka injoruar krejt edukimin dhe kujtohet ta nxjerrë atë si lepurin nga kapela vetëm kur i duhet ta përdorë për premtime të rrejshme elektorale. Sipas saj, deklarata e Kryeministrit se arsimi privat do të ketë një trajtim të veçantë fiskal, është demagogji, pasi është kjo qeveri që taksoi arsimin privat. “Por taksa rëndon mbi familjet shqiptare, dhe vetëm mbi ato, të cilat shtrëngohen të zgjedhin shkollimin privat, ngaqë shkollat publike janë nga 50 e 60 vetë në klasë, ngaqë fillorja bëhet me 3 turne, ngaqë kjo qeveri i shndërron mësuesit në skllevër të dhunës politike”, - tha Shamku.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›