Kodi Zgjedhor, PD dhe PS, drejt konsensusit final
Partia Demokratike dhe ajo Socialiste janë drejt një konsensusi final për të miratuar Kodin Zgjedhor. Sipas burimeve pranë Komisionit të Reformës, palët pritet të nisin në Kuvend në fillim të muajit nëntor Kodin e plotë Zgjedhor. Gjithsesi, vonesa e deritanishme është kritikuar si dhe është kërkuar më shumë kohë. Sipas republikanit Arian Madhi, komisioni ka nevojë për më shumë kohë, pasi ka një sërë çështjesh për të mbyllur. Sipas tij, ekspertët po punojnë në mënyrë të pavarur nga partitë politike dhe kjo rrezikon të sjellë probleme serioze. Mandati i Komisionit të Reformës Zgjedhore shtyhet për të disatën herë. Me gjithë angazhimin e forcave politike, puna me reformën zgjedhore nuk ka ecur me ritmet e kërkuara. Çështjet e miratuara deri tani nga Komisioni i Reformës Zgjedhore janë parimet e përgjithshme dhe struktura e Kodit Zgjedhor, listat e zgjedhësve dhe mënyra e hartimit të tyre, periudha zgjedhore dhe mënyra e caktimit të datës së zgjedhjeve, materialet zgjedhore dhe fletët e votimit dhe shpërndarja e tyre, caktimi i QV dhe i komisioneve të nivelit të dytë të administrimit të zgjedhjeve dhe procedura e votimit. Komisioni i Reformës ka vendosur që në vitin 2009-ën, listat e mbyllura për deputetë duhet të kenë minimalisht 30 për qind gra. Njëkohësisht, është vendosur që të përdoret koalicioni i përbërë.