E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koçi: Është koha për të kapërcyer historitë e përçarjes të së majtës

Kreu i partisë Lëvizja Socialiste e Vërtetë, Petro Koçi në fjalën e tij, në tryezën e të majtës të bashkuar e ka konsideruar këtë takim një fillim të mbarë jo vetëm për të rritur optimizmin mes gjithë socialistëve dhe progresistëve për rezultatin zgjedhor, por edhe për të hedhur bazat e mirëkuptimit për bashkëqeverisjen e nesërme 4- vjeçare. Ndër të tjera ai ka deklaruar se e ka mirëpritur këtë iniciativë e cila sipas tij tenton bashkimin e përpjekjeve të gjitha forcave të së majtës, duke veçuar në këtë kontekst realizimin në radhë të parë të një procesi me standarde ndërkombëtare për zgjedhjet në vijim dhe një përbashkim i të gjitha përpjekjeve për të realizuar një rezultat fitues në këto zgjedhje për të majtën. Zgjedhjet janë në rrezik dhe përballë këtij rreziku unë mendoj se çdo faktor i përgjegjshëm duhet të reagojë në frymën e bashkëpunimit dhe me frymën e dialogut. PSV 91 ka lëshuar edhe më parë thirrje për mirëkuptim paraelektoral mes të gjithë faktorëve politikë socialistë dhe mendoj se ky takim është një fillim i mbarë jo vetëm për të rritur optimizmin mes gjithë socialistëve dhe progresistëve për rezultatin zgjedhor, jo vetëm për të rritur pjesëmarrjen pa mungesa të të gjithë socialistëve të PS, LSI dhe PSV91, por edhe për të hedhur bazat e mirëkuptimit për bashkëqeverisjen e nesërme 4- vjeçare, theksoi ai. Po ashtu, kreu i PSV 91 u ka bërë thirrje për reflektim të gjithë faktorëve të majtë, se është koha për të ndërprerë edhe diversionin dhe për të kapërcyer historitë e përçarjes të së majtës, duke mbështetur mendimin e tryezës së hapur. Mendoj se objektivi i vendit për një qeverisje ndryshe dhe objektivi i gjithë socialistëve, nxjerrja e Sali Berishës në mënyrë përfundimtare në pension kërkon patjetër jo vetëm një reagim të përgjegjshëm, por edhe aktiv në ndërprerjen e mesazheve përçarëse dhe përjashtuese dhe në ndërtimin e një fushate përbashkuese, të një fushate që nxit optimizmin e fitores së socialistëve ndaj Sali Berishës, nënvizoi Koçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›