Listat, 256 mijë qytetarë, jashtë kutive të votimit
Plot 256.794 shtetas me të drejtë vote nuk do të kenë mundësi që ta ushtrojnë atë, për shkak se nuk kanë një nga dy mjetet ligjore të identifikimit
TIRANË - Qeveria u ka nisur dje partive politike dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të dhënat e plota lidhur me ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, duke pranuar njëkohësisht dhe dështimin e saj në këtë drejtim.
Kjo pasi, plot 256.794 shtetas me të drejtë vote nuk do të kenë mundësi që ta ushtrojnë atë, për shkak se nuk kanë një nga dy mjetet ligjore të identifikimit para komisioneve të qendrave të votimit, ditën e zgjedhjeve, pasaportë apo kartë identiteti.
Një shifër e tillë nuk është bërë e ditur nga Ministria e Brendshme, pavarësisht detyrimit ligjor, por është mundur të mësohet nga media, nga lista që ky institucion u ka nisur dje forcave politike dhe KQZ-së.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, në një dalje për mediat bëri të ditur vetëm përfundimin e procesit të përpunimit të të dhënave dhe se ato ua ka nisur subjekteve të interesuara, por pa pranuar të japë të dhëna mbi procesin.
Por, pavarësisht përpjekjeve të kësaj ministrie për të fshehur dështimin e saj lidhur me këtë proces, nga subjektet që mundën të marrin një kopje të CD-së me të dhënat e plota të shtetasve që kanë aplikuar, mësohet se nga 1.402.000, vetëm 470 mijë prej tyre janë shtetas që s'kanë pasur pasaportë, çka tregon se të gjitha deklaratat e qeverisë mbi ecurinë e aplikimeve kanë qenë demagogjike dhe gënjeshtra, pasi në proces, pavarësisht se ka qenë e ndaluar me Vendim të Këshillit të Ministrave, janë pranuar në vijimësi persona që kanë pasur pasaportë.
Nga kjo rezulton se më shumë se 256 mijë shtetas pa pasaportë nuk kanë bërë aplikimin për letërnjoftim elektronik, duke humbur në këtë mënyrë edhe shansin për të votuar më 28 qershor.
Por, më shumë sesa një papërgjegjshmëri e këtyre zgjedhësve, mbetja e një numri kaq të lartë zgjedhësish jashtë mundësisë për të votuar është një përgjegjësi direkte e qeverisë, e cila duket se e ka paragjykuar që në fillim këtë kategori, pasi në një nga letrat e shkëmbyera me PS-në, pranoi se ishte rënë parimisht dakord me të që, një numër rreth 260 mijë shtetasish nuk do të mund të aplikonin, pasi konsideroheshin jashtë shtetit, në emigracion të paligjshëm.
Ndërkohë, lidhur me përjashtimin e 256 mijë zgjedhësve nga e drejta për të votuar, PS-ja nuk ka nxituar dje që të reagojë, duke preferuar së pari që të analizojë të dhënat. Burime pranë selisë rozë kanë konfirmuar se me marrjen e të dhënave do të nisë verifikimi i tyre me realitetin dhe më pas do të mbahet një qëndrim zyrtar lidhur me këtë proces dhe procesin zgjedhor në përgjithësi.