Të mërkurën; Ministri i Brendshëm britanik viziton Shqipërinë
Ministri i Brendshëm britanik viziton pas disa ditësh vendin tonë, ku pritet të takojë homologun e tij shqiptar, madje duke pasur edhe takime të tjera të rëndësishme në axhendën e tij. Pas takimeve, pritet që ministri të japë një konferencë për shtyp në Ambasadën Britanike, për t’iu përgjigjur interesimit të medias vendase dhe të huaj lidhur me qëllimin e vizitës së tij në vendin tonë. Mendohet që gjatë takimit që do të ketë me homologun e tij, Bujar Nishani, ministri britanik të marrë më tepër informacion lidhur me shqetësimin e bërë publik nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, lidhur me përfitimin e azilit politik në Angli nga shtetas me precedentë penalë në Shqipëri. Madje, ky shqetësim pritet t’i parashtrohet ministrit britanik edhe nga vetë Prençi, i cili pak muaj më parë ia ka përcjellë të njëjtin shqetësim medias britanike, duke fajësuar gjykatat për pajisjen me azil politik të personave, që në vendin tonë akuzohen për vrasje.