E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Oketa takon ekipin e shtabit ndërkombëtar të NATO-s

15/02/2009  Anëtarësimi në NATO

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ka zhvilluar ditën e djeshme një takim me ekipin e konsultimeve të shtabit ndërkombëtar të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), në funksion të vlerësimit të Raport-Progresit të Forcave të Armatosura Shqiptare në kuadër të procesit të anëtarësimit të vendit tonë në NATO. Gjatë këtij takimi ministri Oketa e njohu ekipin e NATO-s me punën e bërë për planifikimin e mbrojtjes e të forcës, veçanërisht pas marrjes së ftesës në Samitin e Bukureshtit, për procesin e modernizimit të forcës së armatosu, për asgjësimin e municioneve të tepërta, etj. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë Ministrisë së Mbrojtjes, ministri Oketa ka theksuar angazhimin e plotë të institucioneve shtetërore, politike e shoqërore në mbështetje të këtij procesi anëtarësimi në NATO, përmes miratimit të kuadrit të plotë ligjor, mbështetjes financiare, etj. Ministri Oketa vlerësoi mbështetjen e NATO-s, përmes konsultimeve, si domosdoshmëri për njohjen dhe koordinimin e hapave të mëtejshme për integrimin e plotë të strukturave përkatëse. Zyra e shtypit pranë Ministrisë së Mbrojtjes, bën të ditur se ekipi i NATO-s, vlerësoi progresin e bërë për planifikimin e mbrojtjes e të forcës, të cilat janë në bazë të përmbushjes së detyrimeve dhe angazhimeve në kuadër të anëtarësimit të plotë në Aleancë. Takimi i ministrit Oketa me ekipin e konsultimeve të shtabit ndërkombëtar të NATO-s vjen në një moment shumë të rëndësishëm të udhës së anëtarësimit të vendit tonë në Aleancë. Protokolli i anëtarësimit tashmë është ratifikuar nga pjesa dërrmuese e parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s. Pritet që javën e ardhshme 3 vendet e mbetura, Luksemburgu, Holanda dhe Greqia të bëjnë të njëjtën gjë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›