E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi; Garancia pasurore 10 milionë lekë shpëton nga burgu Alban Xhillarin



Hetimi në gjendje të lirë, me qëllim për t’i shpëtuar qelisë së burgut, i ka kushtuar 10 milionë lekë të reja garanci pasurore biznesmenit Alban Xhillari, duke iu caktuar masa “detyrim paraqitjeje” nga Gjykata e Tiranës, si i pandehur për tjetërsimin e 48 ha në “Plazhin e Gjeneralit”. Ndërkohë që masa “arrest shtëpie” është lënë në fuqi për katër të pandehurit e tjerë, të shoqëruar me furgon nga policia. Këto kanë qenë edhe pesë kërkesat e paraqitura para gjyqtarit Altin Abdiu nga prokurori Armand Gurakuqi, lidhur me vleftësimin e masës së arrestit për pesë të pandehurit, Alban Xhillari, Ali Aliaj, Petrit Kullolli, Fatos Gjuzi dhe Gjergji Hyso, ndërkohë që masa për ish-kreun e AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, është shtyrë për datën 19 shkurt. Ish-kreu i AKKP-së akuzohet për kalimin me dokumente të falsifikuara të një prone tek të tjerë pronarë, jo te pronarët e ligjshëm. Bëhet fjalë për 48 ha tokë në Synej të Kavajës, i quajtur “Plazhi i Gjeneralit”. Ndonëse është përpjekur që fajtorë të bëjë vartësit e tij për kalimin e procedurës për miratim, kanë qenë pikërisht këta të fundit që kanë akuzuar ish-eprorin e tyre, madje duke e akuzuar atë edhe për nxitje të kalimit të kësaj procedure. Për këtë abuzim në tjetërsimin e pronës, ish-kreu i AKKP-së dhe 10 persona të tjerë do të përballen në Gjykatën e Tiranës për akuzat e ngritura. Prokuroria kishte disa muaj që kishte nisur hetimet në lidhje me këtë çështje, ku ka rezultuar se të akuzuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumentet e pronësisë, duke përfituar një familje në mënyrë të paligjshme, rreth 450 dynymë tokë në zonën e Komunës Synej dhe konkretisht te “Plazhi i Gjeneralit” dhe “Kalaja e Turrës”. Prokuroria mori nën hetim rreth 10 persona pas zbulimit të skandalit të “Plazhit të Gjeneralit”. Ish-kryetari i Agjencisë së Pronave, Tunxh Vatnikaj, hetohet pasi ka firmosur dhe miratuar procedurën, ish-punonjësit e Agjencisë së Pronave të Tiranës hetohen për shkak se kanë pranuar dhe përpunuar aplikimin e falsifikuar, ndërsa tre topografë janë marrë në hetim, pasi kanë “mashtruar” me procedurat. Ata kanë hartuar planvendosjen dhe dokumente të tjera, që lidhen me sipërfaqen e tokës së abuzuar, zonat kufizuese, shtrirjen dhe madhësinë e saj, kur sipas hetimeve të prokurorisë, nuk kanë qenë fare në terren për të bërë verifikime, siç e kërkon procedura dhe ligji. Sipas hetimeve të kryera, janë sekuestruar dokumente që kanë të bëjnë me dosjen e aplikimit për kthimin e pronës.

Hetimi

Sipas burimeve nga organi i akuzës, ish-kreu i AKKP-së është munduar që në fillim që fajësinë për kalimin e kësaj prone t’ua atribuojë vartësve të tij, duke u shprehur se nuk kishte dijeni për çështjen dhe më pas ka thënë se procedura ishte realizuar nga vartësit e tij dhe nga Agjencia Rajonale e Kthimit të Pronave të Tiranës. Mirëpo, kanë qenë pikërisht ish-vartësit që me deklarimet e tyre kanë shtuar provat kundër tij, të cilat kanë pasur, sipas burimeve zyrtare të akuzës, përputhshmëri me përgjimet e bëra gjatë hetimit 3-mujor. Madje, gjatë hetimeve, prokurorëve u ka dalë në pah edhe një tjetër fakt, se disa ish-vartës të Vatnikajt nuk kanë pranuar ta kalojnë këtë procedurë, duke mos iu nënshtruar urdhrave të shefit të tyre, qoftë edhe duke rrezikuar vendin e punës. Shkak, sipas dëshmisë së tyre, është bërë konstatimi se këto dokumente kanë qenë të falsifikuara. Për këtë arsye, ata janë hequr nga puna me urdhër të ish-kreut Vatnikaj. Sipas hetuesve të kësaj çështjeje, bëhet fjalë për kërkesën e kthimit të pronës të hartuar në emër të ish-pronarëve Nexhmi e Jonuz Shijaku, dokumentet e vjetra të pronësisë dhe plan-vendosjen e sipërfaqes së tokës. E gjithë përmbajtja e dosjes ka qenë e falsifikuar, ndërsa mbi këtë dokumentacion, AKKP ka miratuar procedurën dhe ka vendosur kthimin e pronës, ndërkohë që Hipoteka e ka regjistruar atë, ndërsa topografët kanë bërë verifikim të rremë në terren, duke zhvendosur tokën në dokumente, nga “Mali i Robit” tek “Gjiri i Gjeneralit”. Për këtë arsye është vënë nën akuzë kreu i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive në Kavajë, lidhur me verifikimin e rremë të topografëve dhe regjistrimin e pronës nga kjo zyrë. Sipas burimeve nga akuza, në emër të ish-pronarëve të familjes Shijaku, është aplikuar duke falsifikuar firmat e anëtarëve të familjes dhe avokatëve të tyre në "testament". Nënshkrimet janë falsifikuar jo vetëm në kërkesën e aplikimit për kthimin e pronës (qershor 2008), por edhe në dokumentet e vjetra, mbi të cilat pretendohej njohja e titullit të pronësisë në emër të familjes Shijaku, e cila nuk kishte dijeni fare për këtë proces.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›