E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodet policore, si pagëzohen aksionet antikrim

Shpeshherë përballemi me operacione të policisë që mbartin emra të ndryshëm. Emrat e tyre janë nga më të çuditshmit, e deri te më seriozët. Madje, tashmë është kthyer në modë që çdo operacioni t‘i vihet një emër, qoftë ai edhe shumë i lehtë për forcat e policisë. Por, si ka ardhur emërtimi i operacioneve dhe pse bëhet kjo gjë. Para disa viteve, policia kryente operacione, por asnjëherë nuk vendoste emra. Por, fillimisht nëpër filma, e më pas duke bashkëpunuar me policitë ndërkombëtare, u vu re se për operacione të rëndësishme vendoseshin emra të koduar, qoftë ata edhe për mbarësi në punën hetimore.
Kush i vendos emrat
Fillimisht, emrat filluan të vendosen nga policia shqiptare, kur organizoheshin operacione antidrogë, ose për trafiqe të ndryshme. Më pas, emra të koduar filluan të marrin edhe operacione të thjeshta, qoftë edhe ato të ndërmarra nga policia rrugore për respektimin e rregullave të qarkullimit. Shpeshherë, kodet e operacioneve vendosen nga vetë grupi hetimor. Burimet policore shpjegojnë se duke kryer hetime, ata mendojnë për ndonjë emër, me anë të të cilit identifikojnë edhe dosjen që kanë nën hetim. Më pas, këta emra miratohen edhe nga kreu i hetimit ose kur bëhet fjalë për operacione shumë të rëndësishme, ose siç cilësohen operacione të bujshme, merret miratimi i kreut të policisë. Më pas, pas gjithë hetimit të kryer, operacioni policor finalizohet me goditje, duke nxjerrë në pah edhe emrin identifikues të koduar nga specialistët në radhët e policisë.
Si vendosen kodimet
Megjithatë, kur dëgjojmë emrat e koduar të operacioneve policore, ndonjëherë na vjen për të qeshur, edhe për shkak të domethënies së tyre. Vetëm kohët e fundit janë zhvilluar disa operacione, të cilat janë koduar me emra të ndryshëm si "Qarku i Mbyllur", "Plaga e vjetër", "Credit Car", "Konjaku i lirë", "Darka Jashtë", "Balerina", "Lapidari" e shumë emra të tjerë. Kur i dëgjon për herë të parë mendon se çfarë lidhjeje kanë këta emra me operacionet policore dhe pse janë të tillë. Policia shpjegon se emrat vendosen, duke marrë shkas edhe nga vetë lloji i operacionit. Ata mund të vendosen që në fillim, nga mesi ose në fund të operacionit. Kështu, operacioni "Plaga e vjetër" është pagëzuar me këtë emër, pasi gjatë tij u arrestua autori i një vrasjeje të ndodhur vite më parë. Policia dyshonte prej kohësh se ai ishte autori i saj, por nuk kishte mbledhur prova për implikimin e tij. Kështu, policisë i kishte mbetur mosarrestimi i tij një plagë e vjetër, të cilën e "shëroi", duke prangosur këtë person. Ndërkaq, ka operacione të tjera, të cilët e marrin emrin nga veprimtaria kriminale që zhvillohet. Sipas policisë, kohë më parë ishte marrë informacion se disa vajza të reja mashtroheshin sikur do i çonin të punonin balerina në Greqi, kundrejt shumave të ndryshme dhe më pas i trafikonin, duke i kthyer në skllave seksi. Në këto kushte, policia ndërmori një hetim në kuadër të operacionit të koduar "Balerina", që në fund solli finalizimin me arrestimin e disa personave. Por, ekzistojnë edhe operacione, që emrin e marrin pas përfundimit të tyre. Kohë më parë, është realizuar një operacion i koduar "Batanija". Ky operacion kishte të bënte me lirimin e një vajze, që ishte marrë peng nga disa persona. Por, kur ajo u gjet, policia zbuloi se ajo ishte transportuar me batanije, e lidhur këmbë e duar dhe aty ishte mbajtur për një kohë të gjatë. Sapo vajza u lirua, policia doli në një njoftim për shtyp se kishte realizuar një operacion me emrin e koduar "Batanija".

Viti 2009

10 nga operacionet
e koduara të policisë

Gjatë operacionit policor të koduar "Qarku i Mbyllur", specialistë të antidrogës realizuan kapjen në flagrancë të shtetasit Kreshnik Fatmir Halilaj, 27 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Gjithashtu, u sekuestrua edhe rreth gjysmë kg heroinë.
Më 11 mars u realizua operacioni i koduar "Plaga e vjetër". Gjatë këtij operacioni, policia e Matit bëri të mundur ndalimin e shtetasit Vladimir Ibrahimi, për veprën penale të "Vrasjes me paramendim". Sipas policisë, pas disa vitesh dyshime u dokumentua se është autor i vrasjes së Genci Barçit, ndodhur më datë 10.11.1997
Pak kohë më parë, policia e kryeqytetit realizoi një tjetër operacion të koduar. Në kuadër të një operacioni blic të koduar "Konjaku i lirë", u mundësua arrestimi i disa personave, të cilët merreshin me tregtimin dhe falsifikimin e kësaj pijeje, duke e shitur si mall të një firme të njohur konjaku, por me çmim më të lirë. Policia sekuestroi një sërë pijesh alkoolike, që ishin false
Ndërsa në muajin shkurt, nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar dhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër u finalizua operacioni i koduar "Darka Jashtë" për arrestimin e dy personave, të cilët u kapën me 500 kg lëndë narkotike. Ky operacion e mori emrin nga vetë kodimi që i kishin bërë trafikantët e tregtimit të drogës, ku sa herë flisnin në telefon, deklaronin se do shkonin për të ngrënë darkë jashtë.
Ndërsa në operacionin "Balerina", policia arrestoi tre persona që mashtronin vajza të ndryshme, duke u premtuar punë si balerina në lokalet e natës në Greqi, e më pas i shfrytëzonin si prostituta
Gjatë operacionit policor "Lapidari", u arrestua vrasësi i një polici. Kolegët e policit të vrarë, të cilët po merreshin me hetimin e ngjarjes, ishin betuar prej vitesh se do të zbulonin vrasësin e tij. Ky emër operacioni u vendos, pasi familjes së policit iu premtua arrestimi i autorit, pikërisht ditën kur u bë një ceremoni përkujtimore te lapidari i tij
Ndërsa gjatë operacionit "Pirro", policia zbuloi një grup trafikantësh droge, të cilët drejtoheshin nga një person që thirrej me pseudonimin Pirro. Në këto kushte, policia kodoi edhe operacionin për kapjen e tyre me këtë emër
Operacioni "Toka e spostuar", është një tjetër goditje që policia bëri për disa persona për korrupsion. Ky emër operacioni u vendos nga policia, pasi hetimi kishte të bënte me një spostim toke, ku personat e arrestuar kishin falsifikuar dokumente, duke përfituar nga funksioni i tyre, kundrejt përfitimit financiar
Një tjetër operacion është koduar nga policia me emrin "Fusha e zezë", ku është sekuestruar një sasi prej 1 kg heroinë. Ky operacion u kodua me këtë emër, pasi policia zbuloi vendin ku do të shkëmbeheshin paratë me drogën
Gjithashtu, pak muaj më parë u realizua edhe operacioni "Kujtesa", ku u arrestuan dy persona për një vrasje të vjetër. Sipas policisë, ky operacion u kodua me këtë emër, pasi dëshmitarit kyç të ngjarjes, i ishte kujtuar pas disa vitesh një fakt që çoi në zbulimin e autorëve


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›