E Shtunë, 31 Tetor 2026

Propozimi kinez, dollari jo më monedhë botërore

Dollari amerikan duhet të zëvendësohet si monedhë globale nga monedha e FMN-së "E drejta e posaçme e tërheqjes", në mënyrë që bota të jetë më e sigurt. Ky ishte propozimi i Bankës Qendrore të Kinës, i cili bëri shpejt xhiron e botës, kryesisht për shkak se Kina zotëron rezervën më të madhe valutore të botës në dollarë amerikanë.

Dollari e fitoi pozicionin ekzistues, pasi SHBA-ja doli fituese në Luftën e Dytë Botërore dhe ndihmoi në themelimin e sistemit të Breton Woods-it. Që nga ajo kohë, të gjitha vendet e tjera të botës blejnë dollarë amerikanë si rezervë garantuese për vlerën e monedhave të veta.

"E drejta speciale e tërheqjes", SDR, është një monedhë llogari që përdoret nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe që bazohet në vlerën sipas peshës së monedhave të të gjitha vendeve të botës.

Sekretari amerikan i Thesarit, Tim Geithner, deklaroi se ishte i hapur të diskutonte propozimin kinez për reduktimin e rolit të dollarit si monedha rezervë e botës, por shtoi gjithashtu se ai vetë nuk e kishte lexuar studimin kinez. Deklarata e tij u shoqërua me rënien me 1.3% të vlerës së dollarit në bursa. Por, monedha amerikane rikuperoi menjëherë sapo u bë e qartë gjysma e dytë e fjalisë së Geithner: "Dollari do të mbetet monedha dominuese në tregun botëror të rezervave valutore", shtoi ai.

Monedha që këmbehet në treg ndërkombëtar konsiderohet gjerësisht si një "mall eksporti" i vendit që e emeton dhe që i garanton vlerën. Dollari zë vlerën dërrmuese të këtij tregu, shoqëruar nga euro, jeni japonez, franga zvicerane dhe paundi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›