E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptari i shumëkërkuar, Selami Cokaj, drejt ekstradimit

Selami Cokaj, i dënuari për vrasje, dhe që jetonte i lirë në Mansfield të Anglisë, pavarësisht se ishte në listën e personave më të kërkuar nga Interpoli është afër ekstradimit në Shqipëri. Sipas mediave angleze, Selami Cokaj aktualisht ndodhet në qeli në pritje të vendimit për deportimin e tij në Shqipëri, ku ai u arratis pas hapjes së burgjeve në 1997. Ai u arrestua në Mansfield muajin e kaluar dhe u dërgua në Londër për t‘u përballur me gjykatën e qytetit Westminster më 3 shkurt. Zyra e Ministrisë së Brendshme tha se Cokaj nuk do të ekstradohet derisa të merret një vendim për kërkesën e tij për azil politik. Emri i Selami Cokajt është ndër 100 emrat e kriminelëve më të rrezikshëm që kanë gjetur strehim në Britaninë e Madhe. Në 1994, Selami Cokaj u arrestua për vrasje, por mundi të arratisej nga burgu gjatë trazirave të vitit 1997. Mbi të rëndon gjithashtu edhe akuza për rebelim të armatosur. Pas vitit 1997, ai u largua nga Shqipëria dhe aktualisht ndodhet në Britani. Vetë Cokaj thotë se është një ngatërresë identiteti. Në vitin 2006, policia britanike arrestoi Cokajn në Mansfield, por teksa po përgatitej deportimi i tij në Shqipëri në vitin 2007, ai kërkoi azil dhe kërkesa e tij ende nuk është marrë në shqyrtim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›