E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, qeveria hap superankandin e bonove

Qeveria shqiptare pritet të marrë 18.3 miliardë lekë borxh të martën e ardhshme më 31 mars, në një ankand për emetimin e bonove të thesarit që po zhvillohet jashtë axhendës së paracaktuar nga vetë financat. Nga këto, 12.1 miliardë do të merren borxh nga Banka e Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër do të merret nga bankat e nivelit të dytë. Shuma e barabartë me 140 milionë euro përbën një nga më të lartat e tërhequra nga qeveria në një ankand të vetëm. Sipas axhendës tremujore të Ministrisë së Financave, më 31 mars nuk ishte programuar emërim bonosh thesari. Qeveria pati programuar të emetonte 26 miliardë lekë bono gjatë muajit mars, shumë që është hedhur në ankand në katër javët e fundit.
Qeveria po përballet me vështirësi në financimin e shpenzimeve buxhetore të programuara si pasojë e rënies së të ardhurave fiskale dhe vonesave në pagesën e parave të disa privatizimeve të rëndësishme. Plani për të emetuar 300 milionë euro borxh të jashtëm brenda janarit dështoi si pasojë e mungesës së ofertës nga bankat e huaja.

Kërkesa e qeverisë për para u kthye në shqetësim për Bankën e Shqipërisë. Në një deklaratë të ashpër të publikuar të mërkurën, BSH-ja deklaroi se qeveria duhet të mos e tejkalojë programin e deficitit buxhetor, si një mënyrë për të shmangur rritjen e interesave në tregun e bonove të thesarit. Interesat për bonot 12-mujore në ankandin e fundit arritën në 9.17% me mesatare të ponderuar. Hera e fundit kur bonot e thesarit kishin interesa të tilla ka qenë viti 2002.

Qeveria paguan interesa për 350 miliardë lekë borxh të brendshëm, (rreth 3.5 miliardë euro). Rritja e interesit të bonove të thesarit me 100 pikë bazë nënkupton rritje të kostos së financimit të borxhit me 35 milionë dollarë në vit. Këtë vit, 36 miliardë lekë (277.2 milionë euro) do të shkojnë për të mbuluar interesat e borxheve me një rritje prej 14 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Por ky është vetëm një parashikim optimist në rast se interesat e bonove të thesarit vijojnë të mbeten në nivele të tilla. Vitin e kaluar Shqipëria shpenzoi 2.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për interesa për borxhet, ndërsa këtë vit interesat do të mbulojnë 3.1% të PBB-së.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›