E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodet, sugjerimet e prokurorëve skaner i ministrisë e EURALIUS

08/11/2011  Ministria dhe asistentët e huaj monitorojnë nismën për ndryshime në kode

TIRANE-Faktorë ndërkombëtarë të Bashkimit Evropian dhe përfaqësues të misionit EURALIUS, janë pjesë e grupit të punës që po studion rekomandimet për ndryshimet në Kodin Penal dhe atë Procedural. Palët e interesit momentalisht analizojnë çdo sugjerim që vjen nga Prokuroria, gjykata dhe Dhoma e Avokatëve, sugjerime këto që pasi analizohen nga specialistët e Ministrisë së Drejtësisë, kalojnë në sitën e asistentëve të huaj, të cilën janë duke mbikëqyrur me imtësi nismën për ndryshimet në dy kodet penale. Institucioni që po udhëheq këtë nismë është Ministria e Drejtësisë, ku nëpërmjet dy drejtorive, asaj të Kodifikimit dhe Vlerësimit të Ndërhyrjeve në Legjislacion, kryhet vlerësimi i çdo rekomandimi dhe shikohet politika e dënimeve që duhet të përcaktohet për disa vepra penale, por dhe mbi qëndrimet në Kodin e Procedurës. Burime pranë dy drejtorive të mësipërme i thanë gazetës “Metropol” se ndryshimet duhet të bëhet pasi të kalohet në një proces normal të ndryshimit. “Këto të mos bëhen për një kohë të shkurtër, por duhet të ketë kohë që të shqyrtohen mendimet dhe idetë nga të gjitha grupet e interesit si prokurorë, gjyqtarë, avokatë. Momentalisht një gjë e tillë po ndodh në radhët e prokurorëve, të cilët japin rekomandimet e tyre, sugjerime këto që do shikohen me shumë vëmendje”,-thanë burimet pranë ministrisë. Por ato shtuan se ende sistemi gjyqësor dhe dhoma e avokaturës nuk kanë dhënë mendimet e tyre në këtë drejtim. Sipas burimeve, rekomandimet e tyre do merren në një tryezë të përbashkët, e cila pritet të organizohet së shpejti. Kjo për shkak se realiteti ka treguar se njerëzit që merren me sistemin e drejtësisë penale, si: gjyqtarë, prokurorë, avokatë mbrojtës dhe qytetarë, besojnë që sistemi nuk i përgjigjet nevojave të vendit. Kodi i Procedurës Penale në fuqi është miratuar në vitin 1998 dhe është ndryshuar dhe rishikuar shumë herë që nga ajo kohë. Megjithatë, tani është koha për të marrë në konsideratë një Kod tërësisht të ri, që do të trajtonte çështjet e shumta me të cilat përballet sistemi i drejtësisë penale në Shqipëri, duke filluar nga dështimi i proceseve gjyqësore, tejzgjatja e gjyqeve, lirimi i të paraburgosurve etj. Për ndryshimet në dy kodet penale, pak ditë më parë në disa prokurori janë zhvilluar takime, ku secili nga prokurorët ka dhënë rekomandimet personale lidhur me nismën e ndryshimit të kodeve. Diskutime të këtij karakteri janë bërë dhe në disa prokurori të rretheve, ku prokurorët kanë depozituar me shkrim rekomandimet e tyre. Nga sa mësohet këto rekomandime janë administruar nga titullari i Prokurorisë dhe më pas ky i fundit ia referon për studime të mëtejshme Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama.

Specialistët, politika të japë

konsensus për ndryshimet

Pavarësisht iniciativës së grupit të interesit për ndryshimin e kodeve penale, specialistët thonë se punën më të madhe në këtë drejtim duhet ta japë klasa politike. Në të ardhmen Ministria e Drejtësisë me konsensusin e palëve do kryejë ndryshimet e duhura, por ajo që është më e nevojshmja në këtë rast, është konsensusi që duhet të japin dy forcat politike të vendit. Kjo për shkak se për ndryshimin e kodeve penale, nevojiten 84 vota, të cilat momentalisht mund të sigurohen vetëm me konsensusin e opozitës. Në fakt mungesa e këtij konsensusi të gjerë i ka hapur edhe herë të tjera probleme drejtësisë. Pak kohë më parë ishte pikërisht kjo arsyeja që fondi i SHBA-ve për Gjykatën Administrative u dogj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›