E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodheli: Koalicioni i Gërdecit rrezik për zgjedhjet

30/03/2009  Shqipëria në NATO

Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë “Berisha” se po e përdor anëtarësimin e vendit në NATO si një slogan elektoral. Sipas zëdhënëses së kryesisë së PS-së Mimi Kodheli, Shqipëria në NATO është një arritje historike e shqiptarëve pa dallim dhe jo një slogan elektoral i denjë për koalicionin e Gërdecit. “Shqiptarët meritojnë të festojnë për Shqipërinë në NATO, kurse koalicioni i Gërdecit meriton vetëm të largohet si i padenjë me votën e lirë të shqiptarëve më 28 qershor. Shqipëria në NATO nuk mund të dështojë në zgjedhje si në Gërdec”, - u shpreh Kodheli gjatë një deklarate për shtyp. Madje, po në këtë linjë, zëdhënësja e kryesisë socialiste u ndal dhe te procesi i pajisjes me kartat e identitetit. “Çdo shqiptar duhet të pajiset me kartën e identitetit, nesër është vonë. Shqipëria në NATO nuk është Gërdeci dhe zgjedhjet e lira e të ndershme, standard i patjetërsueshëm për çdo vend anëtar të NATO-s, nuk mund të hidhen në erë nga koalicioni i Gërdecit, që sot duhet ta dëgjojë zërin ngulmues të opozitës për të mos shkelur të drejtën e votës të asnjë qytetari të varfër, që nuk e blen dot kartën e identitetit”, - deklaroi Kodheli. Sipas saj, Shqipëria në NATO është një ëndërr e bukur shqiptare, që bëhet realitet falë të gjithë shqiptarëve, në radhë të parë qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi dhe pastaj edhe të gjitha partive të tyre. “Kurse Shqipëria që dështon në zgjedhje është një ëndërr e keqe e së kaluarës, që rrezikon të rikthehet si realitet i hidhur më 28 qershor për shkak të koalicionit të Gërdecit”, - theksoi ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›