E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Program real për bujqësinë

30/03/2009  Kreu i LSI-së shpërndan teserat e reja për 250 anëtarë të rinj në Këmishtaj të Lushnjës

“Do të trefishohet buxheti i shtetit që në ditët e para për bujqësinë, pasi ka nevojë për mbështetje

Kryetari i LSI-së Ilir Meta zhvilloi një takim me 250 anëtarë të rinj të LSI-së në fshatin Këmishtaj të Lushnjës. Duke falënderuar për mbështetjen që i kanë dhënë kësaj force politike veçanërisht 250 anëtarësimet e reja, kreu i LSI-së bëri thirrje se është koha për veprim për të nxjerrë vendin nga kjo krizë e rëndë ekonomike. Duke e cilësuar bujqësinë si themelin bazë të një ekonomie të shëndoshë jo vetëm për qytetin e Lushnjës, por për të gjithë vendin, kryetari i LSI-së theksoi se “është koha për veprim, pasi nuk mund të tolerohet më diskriminimi total dhe i pafalshëm, pasi kjo jo vetëm që rëndon gjendjen ekonomike, por rrit edhe papunësinë në vend”. Gjithashtu, duke vijuar po në këtë linjë, Meta shtoi se “LSI-ja ka një program të qartë për të nxjerrë bujqësinë nga kjo gjendje e rëndë dhe ky plan bazohet në një pikë të rëndësishme për të rritur rolin e shtetit përmes programeve mbështetëse ndaj fermerëve dhe subvencioneve të njësisë së prodhimit, që nga farërat dhe plehrat kimike”. Madje, duke i mëshuar rëndësisë së këtij sektori, kreu i LSI-së nënvizoi se “bujqësia është një çështje shumë e rëndësishme për ekonominë kombëtare, por edhe për zhvillimin e turizmit ndaj ne jemi të angazhuar për të mbështetur bujqësinë”. Gjithashtu kreu i LSI-së zbardhi dhe disa nga detajet e programit të kësaj partie lidhur me këtë çështje. “30 mijë vende të reja pune që ne synojmë të hapim në 4 vjetët e ardhshëm, do të realizohen përmes mbështetjes dhe duke dalë shteti garant para bankave për të gjithë biznesmenët dhe sipërmarrësit që do të luftojnë për të krijuar industrinë agropërpunuese”. Ndërkaq në mënyrë më të detajuar programin e ardhshëm qeverisës të LSI-së në fushën e bujqësisë e shpjegoi anëtari i kryesisë Tokli Thomai. Ndërsa Meta nga ana e tij garantoi se “do të trefishohet buxheti i shtetit që në ditët e para për bujqësinë, pasi ky sektor ka nevojë për mbështetje”. Njëkohësisht duke falënderuar për pjesëmarrjen e të rinjve në LSI, Meta shprehu vendosmërinë edhe për mbështetjen ndaj brezit të ri, që të kenë mundësi të shkollohen dhe të punësohen për të ndërtuar të ardhmen në vendin tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›