E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Basha merr mbështetje për aplikimin e vendit

30/03/2009  Takim informal i ministrave të Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian ka marrë një tjetër mbështetje të fuqishme. Në takimin informal të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së, zhvilluar në Çeki, ku mori pjesë edhe kryediplomati shqiptar Lulzim Basha, është rikonfirmuar perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor, mbështetur në axhendën e Selanikut. Ministrat e Jashtëm shmangën çdo mëdyshje për sa i përket afrimit të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së dhe duke e konsideruar integrimin e tij të plotë si vital për stabilitetin e prosperitetin e rajonit dhe vetë Europës. Presidenca çeke e BE-së, vendet anëtare dhe Komisioni Europian ndanë me ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të rajonit vullnetin e tyre të përbashkët për sa i përket domosdoshmërisë së liberalizimit të plotë të regjimit të vizave për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë MPJ-së, ministri shqiptar i Punëve të Jashtme Lulzim Basha ka marrë mirëkuptimin e plotë për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Gjatë fjalës të tij në takim ministri Basha falënderoi presidencën çeke për vendosjen e Ballkanit Perëndimor dhe të proceseve integruese të tij në BE si prioritete të aktivitetit të saj në këto 6 muaj. Ai shprehu mirënjohjen e qeverisë shqiptare për të gjitha vendet anëtare të BE-së për ratifikimin e MSA-së. “Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit hyn në fuqi më 1 prill dhe në të njëjtën javë Shqipëria bëhet anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Në këtë mënyrë zgjerohet më tej zona e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”, - ka thënë Basha. Ai nënvizoi se Shqipëria mbetet e vendosur të koordinojë me presidencën çeke të BE-së vendet anëtare dhe Komisionin Europian hapat e mëtejshëm për avancimin e integrimit europian të vendit. Ky takim ka qenë i rëndësishëm edhe për faktin se për herë të parë në një format të tillë ishte i ftuar dhe mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni, i cili mbajti edhe një fjalë para ministrave të BE-së. Ministrat e Jashtëm kanë diskutuar edhe mbi krizën financiare dhe ekonomike. Në këtë kontekst, duke u bazuar edhe në argumentet dhe kërkesat që ministrat e rajonit shprehën gjatë mëngjesit të punës me zëvendëskryeministrin çek Aleksandër Vondra, u ra dakord për një paketë ndihme prej 150-250 milionë euro në mbështetje të ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Integrimi

Ministri Basha gjatë takimeve që pati me një numër të madh kolegësh dhe përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian ka marrë mbështetjen dhe mirëkuptimin tyre të plotë për vijimin e proceseve integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në takimin infromal të zhvilluar në Çeki, ministrat e Jashtëm të BE-së janë shprehur optimist për liberalizimin e vizave me Ballkanin Perëndimor brenda vitit 2009.

Basha

“Shqipëria është e vendosur të vijojë rolin e saj konstruktiv në rajon, si një faktor moderimi, stabiliteti, dialogu e tolerance. Ajo mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal e do të vazhdojë të kontribuojë në projektin europian e euro-atlantik të rajonit me të gjitha mjetet e mënyrat. Procesi i integrimit evropian është një histori suksesi e përbashkët e BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›