E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefekti: Mungoi më shumë se 3 muaj, çështja në gjykatë

30/03/2009  Shkarkimi i kryebashkiakut të Roskovecit

FIER- Mungesa për më shumë se tre muaj e kryetarit të Bashkisë Roskovec, Ylli Kola, ka detyruar institucionin e prefekturës Fier të mbledhë në një mbledhje të jashtëzakonshme Këshillin Bashkiak. Qëllimi ishte për të shkarkuar kryetarin dhe zgjedhjen e një tjetri sipas ligjit. Por këshilltarët votuan dhe hodhën poshtë propozimin e prefektit të Fierit Shahin Bejdaj. Çështja do të kalojë në gjykatë. Bashkia e Roskovecit ka më shumë se 8 muaj që drejtohet nga një zëvendëskryetar. Kjo për arsye se kryetari i zgjedhur i kësaj bashkie Ylli Kola për arsye shëndetësore nuk është paraqitur ne zyrat e saj. Kështu shumë vendime janë marrë pa prezencën e tij duke krijuar edhe ndonjë rast edhe probleme në vendimmarrje për çështje të rëndësishme sociale që ka kjo bashki. Lidhur me këtë situatë prefekti i Fierit si institucion ligjor pranë Kryeministrit ka mbledhur në një mbledhje urgjente Këshillin Bashkiak dhe administratën e kësaj bashkie me qëllim për të parë se si do të procedohet mbas mungesës së gjatë të kryetarit të bashkisë. Në këtë mbledhje u shqyrtua mungesa e gjatë mbi tre muaj e kryetarit të Bashkisë së Roskovecit. Në bazë të ligjit kryetari i bashkisë duhet të fillojë procesin e shkarkimit nga detyra për shkak se e ka tejkaluar afatin e një mungese të pandërprerë mbi tre muaj. Pikërisht për këtë është thirrur edhe mbledhja e këshillit të bashkisë sepse në bazë të ligjit të pushtetit vendor neni 42 duhet të propozojë Këshilli i Bashkisë shkarkimin, ndërkohë të drejtën e vendimmarrjes të shkarkimit e ka Këshilli i Ministrave. Me kërkesën e prefektit u thirr mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit Bashkiak. Pas diskutimesh dhe debatesh të ashpra pro dhe kundër për shkarkim me votim të fshehtë, këshilli vendosi të mos miratojë shkarkimin e kryetarit të bashkisë. Në këto kushte në bazë të ligjit për prefektin ky vendim do të vi në institucionin e prefektit për të marrë vendim ligjor dhe prefekti ka të drejtën të kthejë për rishqyrtim ose ta çojë direkt në gjykatë si një vendim të pabazuar në ligj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›