E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodheli: Ambasadori konstaton realitetin e mohuar

Deputetja socialiste, Mimi Kodheli, deklaroi dje për “Shqip” se ajo çka tha ambasadori amerikan vërteton edhe njëherë pretendimet e opozitës, që po dëshmohen se nuk kanë qenë thjesht të tilla, por konstatim i një realiteti të mohuar nga qeveria. “Ne kemi thënë prej kohësh se ka një krizë, politike dhe institucionale, e cila është refuzuar të pranohet nga shumica, një krizë e cila sikurse thotë edhe ambasadori amerikan, Withers, është rrjedhimisht një krizë qeverisjeje”, u shpreh Kodheli. Ajo nënvizoi se një gjë e tillë është deklaruar prej kohësh nga Partia Socialiste që ka bërë të qartë qëndrimin e vet se e gjithë kjo situatë e rënduar buron nga zgjedhjet e 28 qershorit. “Pranimi i kësaj krize logjikisht çon në kërkesën për zgjedhje të parakohshme, por unë mendoj se nuk do të ishte fitore për askënd dhe as për demokracinë shqiptare nëse orientimi i aksioneve politike do të çonte drejt tyre pa vënë pikat mbi ‘i’ lidhur me reformën zgjedhore”, insistoi Kodheli. Ky, vijoi ajo, është edhe çelësi i kërkesës sonë për transparencë, pasi nuk mund të lejojmë që të hyjmë në zgjedhje të reja pa bërë verifikimin e procesit të shkuar me qëllim shmangien e gabimeve të tjera.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›