E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodheli: Aplikoni sa më shpejt për kartat e identitetit



Partia Socialiste duket se ka ndryshuar qëndrim në lidhje me procesin e kartave të identitetit. Zëdhënësja e selisë rozë, Mimi Kodhëli, deklaroi dje se çdo qytetar duhet të bëjë sa më shpejt aplikimin. “Çdo shqiptar duhet të pajiset me kartën e identitetit, nesër është vonë”, - tha Kodheli. Deklarata e PS-së u bë pak më vonë se të dilnin propozimet e Ministrisë së Brendshme për të ulur çmimin e kartave të identitetit. Ajo tha më tej se NATO u takon qytetarëve dhe jo politikanëve. “Shqipëria në NATO është edhe e atyre jo pak qytetarëve që në këto 18 vjet kanë rritur mirëqenien e tyre, por edhe e atyre shumë e shumë të tjerëve që për shkak të varfërisë sot janë të kërcënuar seriozisht në të drejtën e shenjtë për të votuar”, - tha Kodheli.

Tri kandidate femra për LSI-në në Shkodër

Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë tri kandidate femra për deputete në Qarkun e Shkodrës. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, prezantoi dje kandidatet për deputete në Qarkun e Shkodrës, të cilat janë Nora Malaj, Vjollca Vuçini dhe Saemira Laçi. Njëkohësisht në Shkodër do të kandidojnë edhe nënkryetari i LSI-së, Sokol Axhemi, si dhe Seit Fishta. LSI nuk ka bërë të ditur renditjen në listë të këtyre kandidatëve. Duke folur përpara simpatizantëve, Meta shtoi se dimensioni dhe mesazhi i LSI po kap çdo lartësi deri edhe ne komunat dhe fshatrat më të largëta. Ky është një tregues dhe sinjal mjaft i qartë, - theksoi Meta, - se është koha për veprim. Meta deklaroi se është koha për veprim, pasi vetëm LSI garanton dinjitetin e cilitdo, veçanërisht të vajzave dhe grave. Ai tha se është koha për veprim, pasi duhet të kuptojmë që pa vënë në veprim talentet e grave nuk mund të edukojmë gjeneratat e ardhshme. Duke u ndalur edhe ne sektorin e bujqësisë, Meta shtoi se është i patolerueshëm fakti që edhe pse 50 për qind e popullsisë jeton në fshat, shqiptarët ushqehen kryesisht me produkte importi.

250 anëtarë të rinj për LSI-në në Lushnjë

Lideri i LSI-së, Ilir Meta, pati një takim me 250 anëtarë të rinj të LSI në Këmishtaj të Lushnjës. Meta shpërndau teserat për anëtarësimet e reja. Duke falënderuar për mbështetjen që i kanë dhënë kësaj force politike veçanërisht 250 anëtarësimet e reja, kreu i LSI bëri thirrje se është koha për veprim, për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike. Ai nënvizoi se bujqësia është një çështje shumë e rëndësishme për ekonominë kombëtare, por edhe për zhvillimin e turizmit. Ne jemi të angazhuar për të mbështetur bujqësinë. Më tej Meta tha se “30 mijë vende të reja pune që ne synojmë të hapim në 4 vitet e ardhshme, do të realizohet përmes mbështetjes dhe duke dalë shteti garant para bankave për të gjithë biznesmenët dhe sipërmarrësit, të cilët do të luftojnë për të krijuar industrinë agro-përpunuese”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›