Topalli: Në Shqipëri ka vëtëm një krizë, dhe ky është Edi Rama
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vijoi dje turin e saj në qytetin e Milotit dhe në Mamurras, nga ku lëshoi akuza të ashpra ndaj opozitës së drejtuar nga Edi Rama. Sipas Topallit, opozita ka refuzuar integrimin e Shqipërisë dhe ka bërë antifushatë. Topalli tha se opozita është kthyer në një kor korbash që refuzon realitetin. “Në Shqipëri ka vëtëm një krizë, dhe ky është Edi Rama. Kjo është kriza e vetme që ka sot në vend, megjithatë Shqipëria vazhdon të ecë përpara, nuk ka kthim mbrapa, siç e dëshiron Edi Rama. Janë kthyer në një kor korbash që vajtojnë çdo ditë, që refuzojnë realitetin", - deklaroi Topalli. Kryeparlamentarja vazhdoi me akuzat duke thënë se zëdhënësit e PS-së kanë dalë kundër anëtarësimit në NATO. Topalli tha më tej se edhe kur SHBA-të kanë konfirmuar hyrjen e Shqipërisë në NATO, opozita, sipas saj, ka thënë se nuk do të anëtarësohemi për shkak të kartave të identitetit. "Tamam si sot një vit më parë zëdhënësi i Edi Ramës doli në Tiranë në konferencat e tyre të mërzitshme, duke thënë se nuk do e pranojnë Shqipërinë dhe nuk do i japin Shqipërisë ftesën në NATO. Pas dy ditësh, Sali Berisha ishte i ulur me George Ë. Bush-in për të marrë ftesën në NATO. Përsëri zëdhënësi i Edi Ramës del dhe thotë se Shqipëria nuk do të integrohet, sepse kemi probleme me ID. Ky është një turp, kjo është papërgjegjshmëri”, - tha Topalli. Përpara qytetarëve të Milotit dhe Mamurrasit, Topalli tha se vendi ka ndryshuar. Sipas saj, Shqipëria është shndërruar në një kantier ndërtimi. “Katër vite më parë ne erdhëm në qytetin tuaj dhe shkuam nga qyteti në qytet, nga fshati në fshat dhe ju premtuam gjëra të thjeshta, por shumë të mëdha për jetën tuaj. Ju na besuat, prandaj na dhatë e vazhdoni të na jepni mbështetje. Ne mbajtëm premtimin, ne ndryshuam Shqipërinë. Nuk ka qytetar sot të mos thotë që Shqipëria ka ndryshuar”, - deklaroi Topalli. Ajo tha më tej se qeveria mbajti premtimet për uljen e taksave, rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe ka shtruar rrugët në mbarë vendin. “Ulëm taksat dhe rritëm të ardhurat; dyfishuam rrogat e arsimtarëve, rritëm rrogat e infermierëve, pensionistëve që sakrifikuan dhe na dhanë mbështetje. Ne kemi dyfishuar buxhetin dhe kemi rritur në mënyrë të paimagjinueshme investimet e huaja. Të gjithë ne kemi vuajtur tek kalonim rrugët me gropa dhe që përmbyteshin nga shiu. Ndërsa sot, ne të gjithë, veçanërisht ju të rinjtë e ndjeni, e konstatoni, e prekni ndryshimin. Shqipëria e tëra është kthyer në një kantier ndërtimi”, - tha Topalli. Duke u ndalur tek kriza ekonomike, Topalli tha se Shqipëria është i vetmi vend me ecuri pozitive. “Kur pothuaj gjithë vendet e botës janë përfshirë nga kriza globale, Shqipëria vazhdon të mbetet i vetmi vend me rritje ekonomike pozitive”, - tha ajo. Kryeparlamentarja u ndal edhe në anëtarësimin në NATO. “Ngjarja merr një rëndësi, një peshë akoma më të madhe për ne shqiptarët, për kombin shqiptar që nuk e kemi parë veten kurrë të lirë gjatë historisë sonë shumëshekullore. Nuk ka ngjarje më të madhe sesa t’i thuhet çdo burri, çdo gruaje, çdo nëne, çdo pensionisti, që me hyrjen e Shqipërisë në NATO, ne të gjithë do të jemi më të sigurt, do të jetojmë më mirë, do të ketë një të ardhme më të ndritur”, - u shpreh kryetarja e Kuvendit.