Kodheli: Berisha po mbron ministrin e papërgjegjshëm, Priftin, është e pafalshme

Tiranë, 12 janar NOA Deputetja e Partisë
Socialiste, Mimi Kodheli ka dalë sot në një deklaratë për shtyp nga ku ka
akuzuar Berishën se ka përgëzuar Dritan priftin në vend që të fliste për
përgjegjësinë direkte të tij si shkaktar për përmbytjet.
Sali Berisha përgëzonte dje Dritan Priftin
për qindra familjet që humbën shtëpitë në ditët e para të këtij Viti të Ri.
Sali Berisha përgëzonte dje Dritan Priftin për
mijëra shqiptarët që humbën të mbjellat, bagëtinë, tokat dhe burimet e
mbijetesës së tyre të përditshme.
Katastrofa që prej më shumë se dhjetë ditësh
ka zhytur në ujë Shkodrën, Lezhën dhe komuna të tëra të Verilindjes së
Shqipërisë, nuk është një katastrofë natyrore, siç përpiqet ta shesë Sali
Berisha dhe Dritan Prifti tha Kodheli.
Sipas saj, vuajtja me të cilën përballen sot shqiptarët e përmbytur, ka një
përgjegjës, Dritan Priftin.
Nëse Dritan Prifti nuk do të kishte
grumbulluar jashtë çdo rregulli, normë dhe ligji, atë sasi të jashtëzakonshme
uji, përmbytja nuk do të kishte ndodhur.
Për më tepër, nëse gjatë ditëve të fundit të
dhjetorit, në vend që uji të depozitohej për të përmbytur më pas Shkodrën dhe
Lezhën, do të ishte përdorur për të prodhuar energji, jo vetëm që katastrofa do
të ishte shmangur, por në buxhetin e shtetit do të ishin arkëtuar plot 35
milionë dollarë, ose 3 miliard e 500 milionë lekë të reja nga prodhimi i më
shumë se 457.638 megavat energji elektrike.
Ky është dëmi që ka shkaktuar Dritan Prifti.
Dëmtime në shtëpi, dëmtime në banesa, dëmtime në prodhim bujqësor e blegtoral.
Dhe së fundi, edhe dëm ekonomik. Dëm ekonomik për familjet e prekura, dëm
ekonomik edhe në buxhetin e shtetit.
Është e pafalshme për Sali Berishën të mbrojë
një ministër të papërgjegjshëm si Dritan Prifti, i cili brenda dy javëve u
solli shqiptarëve dy fatkeqësi: Rritjen e çmimit të energjisë dhe përmbytjen e
verilindjes së vendit përfundoi Kodheli.
k.k/NOA