Rekordet e njëpasnjëshme të Qeverisë

"Paralel me situatën e rëndë në veri të vendit,
qeveria shqiptare po shënon rekorde të reja negativë sa i përket standardeve të
qeverisjes demokratike të vendit dhe kufizimit të lirive njerëzore. Freedom House,
organizata më prestigjioze në botë që merret me standardet e lirisë në çdo
vend, bën vlerësim negativ për ngecjen në vend të Shqipërisë në drejtim të lirive
njerëzore si vendi i fundit në Ballkan, dhe bën akuzë direkte për kryeministrin
Berisha që merr në mbrojte zyrtarë të implikuar siç ishte rasti i Ministrit Fatmir
Mediu. Kjo klimë ndërkombëtare duket se po rëndohet dhe nga deklaratat me
mëdyshje për afatin e liberalizimit të vizave, i cili megjithëse u shty nga
viti 2009 pritet të jetë në Korrik të 2010"
Mero
Baze*
Qeveria shqiptare ka nisur një vit të ri me
lajme të këqija në të gjitha drejtimet. Përveç humbjes së kontrollit mbi
situatën në Veri të vendit, dhe përgjegjësitë që ka për dëmet e shkaktuara ndaj
pasurisë së qindra mijëra banorëve, qeveria shqiptare po shënon rekorde të reja
ndërkombëtare, sa i përket përkeqësimit të standardit të lirive dhe standardeve
të qeverisjes. Komentet e djeshme të Freedom House, organizatës më prestigjioze
në botë që vlerëson indeksin e lirisë, tregojnë qartë se Shqipëria hyn te lista
e vendeve problematike, e cila është e vetmja në rajon që nuk ka bërë asnjë
përparim përkundrazi ka shënuar hapa mbrapa sa i përket korrupsionit, lirisë së
medies dhe standardeve të pavarësisë së sistemit gjyqësor. Raporti ka
përshkruar faktin që kryeministri Sali Berisha ka marrë në mbrojtje zyrtarë të
korruptuar siç është rasti i Fatmir Mediut dhe ky është një identitet turpërues
për një shoqëri demokratike. Po ashtu lajme dyshuese vijnë nga Evropa lidhur me
shanset e liberalizmit të vizave. Megjithëse shqiptarët tani që flasim duhet të
ishin të lirë të lëviznin ashtu si malazezët, serbët apo maqedonasit, deklarata
e djeshme e Kancelares Merkel duket se lë vend për dyshime nëse Shqipëria, do
të arrijë ti përmbushë këto kushte, te kufiri që ka vendosur Bashkimi Evropian
për korrikun e vitit 2010. Ky përkeqësim në të gjitha drejtimet, në standardet
e qeverisjes, në liritë njerëzore dhe funksionimin e institucioneve si dhe në
humbjen e standardeve demokratike, janë një kosto për qytetarët shqiptarë. Po ti
shtosh këtij bilanci dhe faktin që qeveria po nis një vit të vështirë ekonomik,
me një bilanc të mbartur për pagat e papaguara të dhjetorit dhe me një faturë
të shtrenjtë financiare për shkak të drejtimit joprofesional në menaxhimin e
krizës së Kaskadës së Drinit, do të duhen shumë energji pozitive që situata të
kthehet në normalitet. Në këto kushte qeveria duhet të përcaktojë prioritetet e
saj, për të dalë nga kjo situatë, dhe këto prioritete nuk duhet të jenë propagandistike
si mbledhja e sotme e qeverisë në Shkodër. Qeveria ka kuptim të mblidhet në Shkodër,
kur ajo është vërtetë në Shkodër në krye të punëve dhe nuk ka kohë të kthehet
në Tiranë. Në fakt qeveria ka aq shumë kohë, dhe është aq qesharake në këtë
nismë, sa harxhon dhe tri orë rrugë për të shkuar e ardhur në Shkodër vetëm që
të shfaqet nëpër TV që është pranë vatrës së krizës. Me këtë qasje ndaj krizave
që i janë grumbulluar këtë fillim viti, kjo qeveri nuk ka fuqinë e duhur të stabilizojë
gjendjen. Nëse gjithë energjitë e saj do të vazhdojnë të harxhohen vetëm për të
sulmuar opozitën dhe për të gënjyer qytetarët, kjo nuk funksionon, pasi betejat
që ka përpara qeveria, i ka me problemet që i ka krijuar vetë dhe jo me
problemet që ende nuk ja kanë krijuar as qytetarët dhe as opozita. Qeveria ka
probleme me standardet e lirisë që i ka përkeqësuar vetë, me lirinë e medies që
e ka prodhuar vetë, me pavarësinë e gjyqësorit që i ka prodhuar vetë, me
humbjen e shansit për liberalizimin e vizave që i ka prodhuar vetë, me krizën
ekonomike që e ka prodhuar vetë dhe me përmbytjen që e bëri me dorë të saj. Kjo
është një agjendë problemesh ku nuk është përfshirë ende kriza me opozitën dhe
raportet e saj me qytetarët. Kur të përfshihen dhe ata, do të jetë problem
tjetër.
(*) Dërguar nga autori. Qëndrimet e shprehura
nuk përfaqësojnë domosdoshmërish vijën editoriale të NOA. Më shumë mbi
rregulloren e rubrikës Opinion gjeni këtu