Kodheli: “Berisha të bëjë transparencë mbi shifrat e ekonomisë”
Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, i bëri dje thirrje kryeministrit Sali Berisha të bëjë transparencë mbi shifrat e ekonomisë. Duke shprehur shqetësimin për krizën ekonomike, Kodheli tha se nuk është opozita shqiptare që e ka renditur Shqipërinë të fundit për nga zhvillimi ekonomik, por sipas saj, është papërgjegjshmëria e Berishës që e ka degdisur Shqipërinë të fundit në krahasim me rajonin. “Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, BERZH-i, Eurostat-i e shumë aktorë e faktorë të tjerë të rëndësishëm, kanë treguar në më shumë se një rast shqetësimin e tyre në lidhje me krizën. Partia Socialiste i ka ngritur këto shqetësime në emër të të gjithë shqiptarëve, të majtë e të djathtë, që vuajnë sot këto pasoja të keqmenaxhimit e abuzimit me financat publike. Por, në vend që qeveria të hapte një debat të gjerë me ekspertë vendas e të huaj mbi zgjidhjet për krizën, ajo ka zgjedhur të përfshihet në betejën e turpshme të fshehjes së të vërtetës ekonomike të vendit”, - u shpreh Kodheli. Sipas saj, nuk janë vetëm raportet e huaja dhe vendase që e tregojnë Shqipërinë në krizë dhe të fundit në rajon për: investime të huaja, të ardhura për frymë, korrupsion, shtet ligjor, por vetë veprimet e qeverisë sot flasin shumë qartë për krizën që kryeministri nuk do ta pranojë. “Ndryshimet e përsëritura në legjislacionin tatimor, debati në lidhje me skemën e pensioneve, borxhet e njëpasnjëshme që qeveria detyrohet të marrë për të shtyrë edhe disa muaj, mosplotësimi i të ardhurave tatimore dhe ndryshimet në buxhetin e shtetit, rritja e çmimeve dhe zhvlerësimi i monedhës vendase flasin më qartë se çdo apologji e munguar nga qeveria, mbi vështirësitë në të cilat ndodhet sot ekonomia shqiptare e bashkë me të edhe ekonomitë e shumicës së familjeve të shqiptarëve”, - tha Kodheli.
Gjiknuri: “Nuk ka konsensus për ndryshimin e Kodit Zgjedhor pa u bërë hetimi i zgjedhjeve”
Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, deklaroi dje se PS-ja nuk jep konsensus për Kodin Zgjedhor pa hetuar zgjedhjet e 28 qershorit. Gjiknuri, i cili njëherësh është edhe bashkëhartuesi i Kodit Elektoral të zgjedhjeve të fundit, theksoi se nuk ka nevojë për një kod të ri, por thjesht amendime në ato pjesë që kanë rezultuar problematike. Deputeti Gjiknuri shpreh një tjetër rezervë për respektimin e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Sipas tij, Komisioni i Ligjeve duhej të kishte nisur me diskutimin e dekreteve, por kjo vonesë, sipas tij, është me paramendimin pasi maxhoranca kërkon që dekretet t'i kalojë me rregulloren e re. “Komisioni Parlamentar i Ligjeve duhej të kishte nisur me diskutimin e tri dekreteve të Presidentit për Gjykatën e Lartë që ditën e hënë”, - tha Gjinuri.
23 Qershor 2010