E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi niset drejt Turqisë, në axhendë takimi me Fylenë për krizën politike



Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është isur dje drejt Turqisë, ku do të marrë pjesë në dy samitet e Stambollit dhe ku do të zhvillojë një sërë takimesh të rëndësishme. Në axhendën e tij është parashikuar edhe një takim me komisionerin europian për Zgjerimin, Shtefan Fyle. Ky takim midis presidentit Topi dhe komisionerit Fyle mbahet në një moment kur politika shqiptare ende nuk ka gjetur një zgjidhje për krizën, kur Komiteti i Jashtëm i PE-së diskuton një draft-rezolutë të rëndësishme për proceset integruese të vendit dhe kur priten ende zhvillime përsa i përket situatës politike në vend. Ndërkaq, Fyle ka mbajtur dje një fjalim në Samitin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të procesit të bashkëpunimit të Europës Juglindore, ku ka bërë të ditur se Komisioni po punon mbi dhënien e opinionit përsa i përket kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Ndërkaq, Fyle ka thënë se edhe qytetarët e Kosovës meritojnë të lëvizin të lirë në BE dhe po punohet për liberalizimin e vizave për këtë vend, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin midis vendeve të Ballkanit si të rëndësishëm për integrimin europian të këtij rajoni.
Takimet e Topit
Në axhendën e Presidentit të Shqipërisë Bamir Topi parashikohet një takim me homologun turk Abdullah Gyl, ku temë qendrore e bisedimeve do të jetë forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve dhe popujve tanë, situata në rajonin ballkanik dhe përmbushja e aspiratave integruese të dy popujve për në Bashkimin Europian. Gjatë ditës së dytë të qëndrimit në Turqi, presidenti Topi, në krye të delegacionit zyrtar, ku është i pranishëm zëvendëskryeministri Ilir Meta, do të marrë pjesë në dy aktivitete të rëndësishme që do të zhvillohen në Stamboll: në Samitin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të procesit të bashkëpunimit të Europës Juglindore, ku do të ketë diskutime dhe konferencë të përbashkët për shtyp të krerëve të shteteve pjesëmarrëse mbi marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, si dhe në Takimin e 8-të të Forumit të Korridoreve Kulturore të Samitit të kryetarëve të shteteve të Europës Juglindore me temë: “Muzika, si metaforë e dialogut kulturor”, gjatë të cilit, kreu i shtetit shqiptar do të mbajë një fjalë përshëndetëse mbi vlerat kulturore dhe trashëgiminë e lashtë shpirtërore e muzikore shqiptare e të vendeve të rajonit. Kreu i shtetit shqiptar pritet të ketë edhe një takim me komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Shtefan Fyle.
Fyle në Turqi
Gjatë fjalës së mbajtur në Turqi, komisioneri europian, Shtefan Fyle, theksoi se bashkëpunimi rajonal është një pjesë kryesore e politikës së BE-së drejt Europës Juglindore. Ai theksoi se KE-ja pret nga partnerët e Europës Juglindore që të angazhohen në bashkëpunim praktik dhe pragmatik. “Raporti Vjetor për Bashkëpunimin Rajonal tregon aktivitete të pasura dhe të ndryshme. Komisioni Europian është i gatshëm t’ju ndihmojë në këtë aktivitet të vazhdueshëm në mënyrë që të sjellë rezultate. Komisioni gjithashtu i jep rëndësi të madhe gjithëpërfshirjes. Mbledhja jonë këtu sot, si dhe Konferenca e Sarajevës më 2 qershor 2010, tregojnë qartë se zgjidhje praktike mund të gjenden, në mënyrë që bashkëpunimi rajonal të jetë efikas. Angazhimi ynë për bashkëpunimin rajonal nuk është vetëm politik, por edhe financiar. Komisioni ka mbështetur financiarisht strategjinë e bashkëpunimit rajonal dhe aktualisht po punojmë mbi një vendim të ri financimi për tre vitet e ardhshme”, - është shprehur Fyle. Më pas ai u është referuar proceseve integruese të vendeve të rajonit. “Tri javë më parë, në Sarajevë, BE-ja rikonfirmoi angazhimin e saj ndaj perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor, e cila është thelbësore për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit. Konkretisht, Kroacia është në përfundim të negociatave të pranimit të saj. Komisioni po punon për të propozuar hapjen e negociatave të pranimit të Republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë. Ndërkohë që është zhbllokuar procesi i ratifikimit të MSA-së me Serbinë. Komisioni është duke punuar për dhënien e opinioneve për statusin për Malin e Zi dhe Shqipërinë. Ne jemi të gatshëm të bëjmë të njëjtën gjë për Serbinë kur Këshilli të vendosë për të. Progres i konsiderueshëm është arritur në liberalizimin e vizave për Serbinë, Malin e Zi dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, si dhe propozimin tonë për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Ne nuk duhet të harrojmë Kosovën: njerëzit e saj kanë të drejtë të përfitojnë aq sa qytetarët e pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor përsa i përket liberalizimit të vizave. Për këtë qëllim, unë mendoj se është e rëndësishme që një dialog i vizave të fillojë së shpejti me Prishtinën. Më lejoni të shtoj se ne e vlerësojmë shumë rolin konstruktiv të Turqisë në Ballkanin Perëndimor”, - është shprehur komisioneri europian, Fyle.

23 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›