Kodheli: “Bode ka autorizuar vetëm 5 kompani në garën për shitjen e kasave fiskale”
Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë në Partinë Socialiste, Mimi Kodheli, ka sjellë fakte të reja që dëshmojnë korrupsionin e qeverisë me kasat fiskale. Deputetja socialiste deklaroi se ministri i Financave, Ridvan Bode, ka nxjerrë një urdhër, i cili vendos kufizimin e garës dhe dhënien e autorizimit për vetëm 5 kompani. Pra, sipas saj, nuk ekziston liberalizimi i tregut për kompanitë. Kodheli tha se kjo praktikë garanton një fitim si tarifë korrupsioni që fillon nga 40 milionë euro dhe arrin deri në 100 milionë euro së bashku.
Vendimi
Duke mbetur në kuadrin e ndryshimeve të vendimeve në mënyrë të herëpashershme, Kodheli deklaroi se kryeministri Sali Berisha e ka kufizuar edhe më shumë tregun për kompanitë. “Më datë 17 shkurt 2010, me Vendimin Nr. 96, qeveria e Sali Berishës ka ndryshuar për herë të dytë specifikimet teknike për kasat fiskale duke urdhëruar dhe zbatuar një kufizim të numrit të kompanive që shesin kasa fiskale. Pas këtij vendimi, nga 5 kompani të autorizuara, prej shkurtit deri tani në treg operojnë dhe shesin kasa vetëm 2 kompani”, - deklaroi Kodheli. Sipas saj, Vendimi Nr. 722, datë 1 shtator të vitit 2010 për liberalizimin e tregut, është dërguar në Qendrën e Publikimeve Zyrtare vetëm më datë 20 shtator dhe vetëm dje pasdite, pas insistimit të deputetëve të PS-së, është publikuar në Fletoren Zyrtare. “I tillë, i publikuar, vendimi nuk liberalizon absolutisht asgjë. Ai bën fjalë, po prapë, për konkurrim për marrjen e autorizimit si shoqëri që merr të drejtën për shitjen e kasave, i jep të drejtën ministrit të Financave të ngrejë komisionin e konkurrimit dhe ky komision i propozon ministrit të Financave dhënien e autorizimit për shoqëritë fituese”, - tha Kodheli.
Mashtrimi
Vendimin e Këshillit të Ministrave se bizneset do të shpenzojnë 0 lekë për kasat fiskale, Kodheli e ka quajtur një gënjeshtër. “Përtej insistimit të Sali Berishës se në këtë proces bizneset do të paguajnë 0 lekë dhe se ky proces është i liberalizuar, e gjitha mbetet një gënjeshtër, ndërkohë që në dritë të diellit janë faktet”, - u shpreh Kodheli.
29 Shtator 2010