Kodheli: Kartat, situata është kaotike. U bëjmë apel qytetarëve që të aplikojnë
Partia Socialiste e ka akuzuar qeverinë dhe Ministrinë e Brendshme se nuk kanë marrë parasysh denoncimin e saj të bërë publik dy ditë më parë, në të cilin shprehej shqetësimi për dokumentacionin shtesë që u kërkohej nga zyrate postare, qytetarëve pa pasaportë, që shkonin për të aplikuar për karta identiteti. Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, tha se qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të zgjidhur këtë problem dhe se qytetarëve ende po u kërkohet dokumentacion shtesë, gjë që i pengon ata për të aplikuar. Kodheli tha se procesi i pajisjes së shqiptarëve me karta identiteti vazhdon të mbetet kaotik. Ajo u bëri thirrje të gjithë qytetarëve pa pasaportë që të aplikojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi qeveria e re e Partisë Socialiste do t’i rimbursojë taksën e votës, të cilën ata do të duhet ta paguajnë. “Partia Socialiste denoncoi një sërë pengesash artificiale që zyrat e Postës Shqiptare nxjerrin për personat të cilët nuk e kanë emrin në listë dhe aplikojnë për letërnjoftime elektronike. Ishin të shumtë qytetarët të cilëve u kërkohej një vërtetim nga Policia e Shtetit, në mënyrë që të pajiseshin me letërnjoftime elektronike, ndërkohë që vendimi i qeverisë për të gjithë ata persona që nuk e kanë emrin në listë, parashikon vetëm nënshkrimin e një deklarate përpara aplikimit. Edhe pas denoncimit të Partisë Socialiste, situata vazhdon të mbetet kaotike. Në shumë komuna të vendit zyrat postare ende nuk kanë filluar të shesin kuponët me tarifat e reja. Për më tepër, ende sot, nuk ka asnjë informacion publik nga qeveria mbi mbarëvajtjen e procesit të aplikimit të shtetasve shqiptarë me letërnjoftime elektronike, pas miratimit të tarifave të reja. Partia Socialiste përsërit edhe njëherë qëndrimin e saj dhe ftesën për të gjithë votuesit shqiptarë të papajisur me pasaportë, për të aplikuar një orë e më parë dhe për të ruajtur faturën. Qeveria e re pas 28 qershorit, me Edi Ramën kryeministër, do ta rimbursojë këtë taksë vote, e cila në vitin 2009 nuk mund t’i mbajë shqiptarët larg kutive të votimit”, - tha zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli.
8 Maj 2009