E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi garanton SHBA-të për zgjedhje të lira dhe të ndershme



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme një takim me zëvendësndihmësin e sekretarit amerikan të Shtetit, Stjuart Xhons, dhe ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Xhon Uidhers. Gjatë këtij takimi palët kanë diskutuar rreth situatës parazgjedhore në Shqipëri dhe hapat që po merren për procesin zgjedhor. Presidenti shqiptar ka dhënë garanci për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vend, në përputhje me standardet e ndërkombëtarëve. “Zgjedhjet e suksesshme parlamentare do të jenë të lira, të ndershme e të pakontestuara, në mënyrë që Shqipëria të japë një provë tjetër bindëse në drejtim të plotësimit të standardeve dhe përmbushjes së aspiratave integruese të popullit shqiptar”, - është shprehur Topi.
Gjatë këtij takimi kreu i shtetit shqiptar vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin e përkryer në të gjitha fushat mes dy vendeve tona, duke theksuar bindjen se pas anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut, Shqipëria do të vazhdojë të jetë jo vetëm një vend mik e partner, por edhe një aleate tepër besnike në ruajtjen dhe forcimin e paqes dhe sigurisë në botë. Presidenti Topi i shprehu z. Xhons mirënjohjen më të thellë për ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara, të ish-presidentit Bush dhe të presidentit Obama për futjen e vendit tonë në strukturat euroatlantike, gjë që shënoi edhe njohjen ndërkombëtare de jure të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Stjuart Xhons, pasi shprehu mirënjohjen për mikpritjen e ngrohtë, e uroi kreun e shtetit dhe njëkohësisht Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura për hyrjen e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO. Zoti Xhons e siguroi presidentin Topi se administrata e re amerikane e presidentit Obama do të vazhdojë të mbështesë pa lëkundje zhvillimin dhe konsolidimin demokracisë dhe institucioneve të pavarura në Shqipërisë duke vlerësuar rolin e rëndësishëm e moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon në shërbim të qëndrueshmërisë, bashkëpunimit dhe begatisë afatgjatë.

8 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›