E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruajtja e votave, PS-ja, e përqendruar në zonat rurale



Shaban Sulçe

Struktura e posaçme e krijuar nga Partia Socialiste për mbrojtjen e votave dhe parandalimin e manipulimeve të mundshme në zgjedhjet e 28 qershorit do ta përqendrojë kryesisht aktivitetin e saj në zonat rurale të vendit. Strategjia e selisë rozë lidhur me këtë çështje i kushton një rëndësi mjaft të veçantë monitorimit të procesit zgjedhor në qendrat e votimit, të cilat janë të shtrira në fshatrat dhe komunat e thella të vendit. Zonat e thella rurale konsiderohen si më të ekspozuara dhe më të pambrojtura nga manipulimet e mundshme. Për shkak të terrenit të vështirë dhe gjendjes jo të mirë të infrastrukturës, procesi zgjedhor konsiderohet i pamundur për t’u monitoruar nga vëzhgues të huaj dhe vendas apo nga organet e medias. Për këtë arsye, monitorimi dhe ruajtja e votave në këto zona do t’i besohet strukturës së posaçme të krijuar nga Partia Socialiste.

Struktura
Pavarësisht presionit ndërkombëtar që bie mbi qeverinë për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, Partia Socialiste e ka shumë të vështirë të besojë në premtimin e kryeministrit Berisha për një proces normal zgjedhor dhe pa manipulime. Nisur nga raportet e mëparshme midis Berishës dhe zgjedhjeve të lira, të cilat kanë qenë shumë të zeza, por nisur edhe nga situata aktuale me çështjen e kartave të identitetit, selia rozë prej kohësh ka hartuar një strategji të sajën për mbrojtjen e votave dhe parandalimin e manipulimit të zgjedhjeve. Kjo strategji u konkretizua një muaj më parë me ngritjen e strukturës së specializuar, në përbërje të së cilës janë shumë ish-efektivë të Policisë. Një strukturë të tillë, Partia Socialiste e krijoi edhe gjatë zgjedhjeve lokale të 18 shkurtit 2007. Struktura drejtohej nga ish-deputeti socialist Paulin Sterkaj dhe veproi kryesisht në kryeqytet. Struktura bashkëpunoi ngushtë me komisionerët e Partisë Socialiste. Në çdo qendër votimi ku sinjalizoheshin për shenja manipulimi, struktura ndërhynte për parandalimin e tyre.

Problemet

Presioni i policisë elektorale ndaj votuesve si dhe mbushja artificiale e kutive të votimit konsiderohen si dy nga rreziqet më të mëdha që kërcënojnë votën e shqiptarëve në procesin zgjedhor të 28 qershorit. Por këto rreziqe mund të gjejnë më shumë hapësirë në fshatrat e thella të vendit, aty ku vëmendja për procesin zgjedhor do jetë më e pakët. Selia rozë prej kohësh ka denoncuar krijimin e policisë elektorale, apo angazhimin e strukturave policore për inventarizimin dhe marrjen e numrit të pasaportave të shtetasve shqiptarë, të cilët janë emigrantë dhe nuk do të marrin pjesë në procesin zgjedhor të 28 qershorit. Këto dy fenomene kanë shtuar “dyshimet” për manipulime të mundshme nga ana e partisë në pushtet, por njëkohësisht kanë rritur edhe masat dhe angazhimin e Partisë Socialiste për mbrojtjen e votave. Pjesëtarët e strukturës së saj për mbrojtjen e votës pritet që të shpërndahen fshat më fshat dhe qendër votimi më qendër votimi, për të parandaluar dhe denoncuar çdo tentativë manipuluese.

LRI-ja, apel të rinjve për të aplikuar për karta identiteti

Lëvizja Rinore për Integrim u bëri dje apel të gjithë maturantëve dhe studentëve që të aplikojnë sa më shpejt për t’u pajisur me karta identiteti. Kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho, e shoqëruar nga kryetari i LRI-së për Tiranën, Endrit Braimllari, ishin të pranishëm në Njësinë Nr. 6, ku po aplikonin për karta identiteti me dhjetëra të rinj, anëtarë të LRI-së. “Ne si LRI mendojmë se pajisja me karta identitetit është një domosdoshmëri për çdo qytetar shqiptar dhe në radhë të parë për zgjedhjet e 28 qershorit. Unë u bëj thirrje gjithë të rinjve që të mos humbin këtë moment për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes. Rinia nuk duhet të humbë shansin që i jep demokracia, që nëpërmjet votës t’i japë drejtimin që ajo dëshiron. Vetëm pjesëmarrja në votime është shansi më i mirë që rinia me votën e saj të bëjë realitet ëndrrat e saj. Prandaj, asnjë i ri nuk duhet të mbetet indiferent ndaj procesit zgjedhor”, - tha Xhixho.

Minxhozi: “Është bllokuar aplikimi në Ulzë dhe Martanesh të Matit”

Deputeti i Partisë Socialiste, Qemal Minxhozi, ka denoncuar ecurinë problematike të procesit të aplikimit për karta identitetit në komunat Ulzë dhe Martanesh të rrethit të Matit. Ky denoncim i Minxhozit ka ardhur pas një takimi me banorë të këtyre komunave, të cilët i kanë shprehur deputetit socialist shqetësimet e tyre për zgjedhjet. “Në të gjithë rrethin e Matit ka filluar procesi i aplikimit për letërnjoftime, ndërsa komuna e Ulzës është lënë në harresë, nuk figuron që ekziston. Ditët e fundit është thënë që banorët të shkojnë në një komunë tjetër. Është krejt e pafalshme dhe e palogjikshme, përderisa këta e kanë gjendjen civile në komunën e tyre, që të bëjnë atje kartat e identitetit. Kanë një kërkesë të ligjshme ashtu siç kanë një kërkesë të ligjshme dhe banorët e komunës së Martaneshit. 670 veta ende nuk kanë filluar aplikimin e kartave të identitetit. Kjo situatë duhet të marrë fund sa më parë, ndryshe procesi zgjedhor do të komprometohet rëndë”, - tha Minxhozi.

Përmet, 12 mijë zgjedhës rrezikojnë të mbeten pa aplikuar

Në më pak se 2 muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare, procesi i aplikimit për karta identiteti ende nuk ka nisur në katër komuna të rrethit të Përmetit. Rreth 12 mijë banorë në komunat e Përmetit, Çarçovë, Suk, Petren e Ballaban ende nuk kanë pasur mundësi që të aplikojnë për t’u pajisur me nuk mund të pajisen me karta identiteti. Në këto komuna nuk kanë mbërritur pajisjet dhe baza materiale e nevojshme për nisjen e procesit, çka e bën realizimin e pamundur në një kohë të shkurtër. Ndërkohë që ende nuk ka informacion se kur qendrat do të jenë të gatshme për aplikimet. Mësohet se edhe në Qendër-Memaliaj ka të njëjtin problem, pasi edhe në këtë komunë nuk ka nisur aplikimi për të njëjtën arsye. Ndërsa në Gramsh, personat pa pasaportë vazhdojnë të paguajnë 1200 lekë për kartat e identitetit. Në të gjitha qendrat e aplikimit në Gramsh nuk ka nisur zbatimi i vendimit prej një jave të qeverisë për çmimin 200 lekë.

8 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›