Vrasja e Xhindit, grupi hetimor mblidhet te Krimet e Rënda, ende asnjë të dyshuar
TIRANË - Pesë ditë pas vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi në portën e shtëpisë së tij në Roskovec, policia nuk bën të ditur asnjë të dhënë lidhur me hetimet apo atentatorin. Kërkimet vështirësohen edhe për faktin se vrasësi nuk la asnjë gjurmë në vendngjarje. Përkundër u tha në fillim, mësohet se nuk janë gjetur shenja në disa objekte të mbledhura në vendngjarje, si një pako aspirina apo një qese plastike. Laboratori i Kriminalistikës ka kthyer përgjigje për mungesë gjurmësh në këto dy objekte.
Dje, krerët më të lartë të grupit hetimor u mblodhën me prokurorët e Krimeve të Rënda për të analizuar provat e mbledhura deri tani. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliqi, drejtori i Krimeve të Renda dhe Krimit të Organizuar, Nikolin Bala dhe drejtori i Policisë qarkut të Fierit, Shemsi Premçi, u takuan me prokurorët e Krimeve të Rënda, që po hetojnë mbi këtë ngjarje, Kosta Beluri, Ardian Nezha, Adnan Xholi dhe Besnik Muça. Në këtë mbledhje nuk ka munguar edhe kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsian Çela. Ata thanë vetëm se hetimet po vijojnë me intensitet. Zyrtarisht nuk ka asnjë të dhënë se cilat janë pistat e hetimit. Sipas tyre, nuk ka emra konkretë për këtë ngjarje. Dhjetëra persona po vazhdojnë të merren në pyetje në Komisariatin e Fierit, kryesisht banorë të fshatit Kurjan, por edhe nga Roskoveci dhe nga qyteti i Fierit.
8 Maj 2009