Berisha në Shijak: “Ne mbajtëm premtimet e bëra në 2005-n”
Kryeministri Berisha përuroi dje në Shijak përfundimin e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare “Muharrem Dollaku”. Gjatë fjalës së mbajtur para banorëve të Shijakut, kryeministri Berisha renditi premtimet e mbajtura të qeverisë gjatë katër viteve në pushtet. Kryeministri tha se qeveria ia doli të shndërrojë në realitet zotimin e saj për të shtrirë internetin në çdo shkollë, edhe pse 4 vjet më parë ky premtim u konsiderua elektoral apo luks. Ai tha se qeveria mbajti premtimin për dyfishimin e pagave të arsimtarëve, për hapjen e dyerve të universiteteve, si dhe për furnizimin 24 orë me energji elektrike. “Ne u zotuam të dyfishojmë pagat e arsimtarëve dhe me një përpjekje të jashtëzakonshme, por edhe të pashembullt ndonjëherë, kam nderin e kënaqësinë se të gjithë mësuesit e Shqipërisë pagën e muajit maj do ta kenë dy herë më të lartë se pagën e muajit maj të vitit 2005. 4 vjet më parë, ne premtuam se dyert e universiteteve tona do të hapen për fëmijët tanë. Ne gjetëm gjithsej 52 mijë studentë, sot kemi 115 mijë studentë. Atëherë, të shtrojmë pyetjen: a i mbajtëm ne premtimet tona, a i vendosëm me përparësinë më të madhe, fëmijët tanë në epiqendër? Por ju jap fjalën se sërish do të vazhdojmë, sepse ashtu siç i rrisim dhe i edukojmë, sa më të dijshëm t’i bëjmë ata, aq më bukur do ta ndërtojnë ata shtëpinë e tyre, aq më bukur do ta ndërtojnë Shqipërinë tjetër, Shqipërinë e ëndrrave të tyre”, - është shprehur Berisha.
8 Maj 2009