E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodheli: Kryesia PS, jo reformave statutore

Zëdhënësja e Kryesisë së PS-së Mimi Kodheli deklaroi sot se kryesia është pro reformës statutore por jo të kushtëzuara nga emocionet e garës. Kodheli: Kongresi i hapur për median vetëm për dy cështje. 

TIRANE-Zëdhënësja e Kryesisë PS-së, Mimi Kodheli në një konferencë për shtyp sqaroi atë vendimet në bazë të të cilave do të zhvillohet Kongresi i Jashtëzakonshëm të shtunën më 29 gusht.

Kodheli bëri të ditur se Kryesia është pro reformës statutore të partisë dhe rregullave që normojnë funksionimin e PS-së, por ato nuk duhet të jenë të kushtëzuara nga emocionet e garës politike.

“Në kryesi mbizotëroi mendimi që është e nevojshme kryerja e një reforme statutore dhe e rregullave që normojnë funksionimin e Partisë Socialiste, e cila nuk duhet të jetë e diktuar nga ndërhyrje pjesore dhe në kushtet e emocionalitetit të konkurrimit politik.”- deklaroi sot në një prononcim për shtyp Zonja Kodheli.

Ndryshimet në statut synonin të ndalonin rikandidimin e Edi Ramës, si kryetar i Partisë, që humb zgjedhjet. Propozimet erdhën nga një grup anëtarësh të kryesisë, të cilët kërkuan gjithashtu, që punimet e Kogresit të ishin transparent për publikun. Por zëdhënësja e Kryesisë informoi se Kongresi do të ishte i hapur për mediat vetëm për dy cështje: “për prezantimin e raportit për atë që socialistët e quajnë krim elektoral të 28 qershorit si edhe kohës së prezantimit të platformave të kandidatëve.”

Sipas Kodhelit procesi i konkurimit ndërmjet kandidatëve për kryetar të PS do të jetë konform kodit zgjedhor të partisë “duke iu garantuar akses të plotë të gjithë kandidatëve nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në të gjithë piramidën e strukturave që do të merren me organizimin e këtij procesi.”
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›