E Diel, 1 Nëntor 2026

Majko: Jo ndryshimeve statutore. Në fokus zgjedhjet

Majko, i cili është pro rikandidimit të Edi Ramës si kryetar PS-së shprehet kundër propozimeve të një grupi anëtarësh për ndryshimet statutore. "Bëhet fjalë për të drejtën për t'u votuar dhe për të votuar". 

TIRANE- Pandeli Majko një ndër socialistët më të vjetër dhe anëtar i Kryesisë së PS e quan të pranueshëm vendimin e kryesisë për mos lejimin e medias përtej kohës së raportit dhe paraqitjes sipas kandidatëve.

“Media do të jetë e pranishme, askujt nuk i është thënë “mos fol në medi”…. Një kongres tërësisht i hapur me të gjitha llojet e mediave brenda në fund të fundit do t’i hiqte disa vlera diskutimit i cili në fund të fundit kërkon dhe një moment konfidencial në gjirin e delegatëve. Nuk besoj se të gjitha partitë e tjera, në mbledhjet e kryesisë, të asambleve etj., duhet të jenë të hapura. Mendoj që duhet gjetur një balance midis të hapurës dhe transparencës me atë që quhet konfidenciale për zhvillimin e gjërave normale në parti. ”- deklaroi Majko në një intervistë për BBC-në.

Majko vë theksin që Kongresi i PS-duhet të marrë një vendim lidhur me zgjedhjet parlamentare dhe më pas të merret me atë që ka të bëjë me statusin e PS-së, si dhe me zgjedhjet apo rizgjedhjet e kryetarit të PS-së. “Për momentin aktual ajo që na kërkohet të gjithëve është vendim-marrja politike lidhur në raportet me zgjedhjet, pastaj elementë të tjerë të cilët kanë të bëjnë me ndryshimet statutore këto mund të jenë pjesë dhe e diskutimeve apo dhe asaj që do të zhvillohet si fushatë elektorale për kandidatët për kryetar në PS-së.”

Më tej Majko, i cili është pro rikandidimit të Edi Ramës si kryetar PS-së shprehet kundër propozimeve të një grupi anëtarësh për ndryshimet statuore, të cilat nuk do të lejonin rikandidimin për kryetar partie në rast humbjes së zgjedhjeve dhe i konsideron debatet pjesë e garës në PS.  
“Këtu bëhet fjalë për të drejtën për t'u votuar dhe për të votuar… Nëse dikush mendon që ish-kryetari i PS-së nuk duhet të rikandidojë për këtë apo atë post, mendoj që kjo i kalon limitet e një fushate normale brenda një partie. Secili ka të drejtën e vet të shkojë tek anëtarësia, të shpjegojë arsyet e veta pse kandidon, të shpjegojë arsyet edhe pse dikush nuk duhet të rizgjidhet në një pozicion të caktuar, por nuk mundet që nëpërmjet rregullave të imponuara t’i thotë dikujt për një arsye të caktuar që t'i nuk duhet të rikandidosh. “
(s.g/BBC/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›