Shkërmoqja e grupeve parlamentare, PS-ja doli më e dëmtuara
Habjon Hasani
Trajektorja e votave të 3 korrikut 2005 është përthyer dhe gati shpërfytyruar nëse u referohesh zhvillimeve dhe rigrupimeve të ndodhura në tre vitet e fundit në Kuvend. Personazhi i parë që “konvertoi” votat ishte Lufter Xhuveli, i cili gjatë gjithë fushatës elektorale kërkoi vota duke promovuar qëndrimin e së majës në pushtet, ndërsa fill pas zgjedhjeve ai kaloi në anën e kundërt, duke u bërë madje dhe pjesë e qeverisjes së djathtë. Sistemi elektoral i aplikuar më 3 korrik 2005 nxiste përfitimin e partive të vogla duke shfrytëzuar votat e dy partive më të mëdha. Kështu ndodhi edhe me Xhuvelin, i cili i transferoi votat e tij (që në pjesën dërrmuese ishin të PS-së) në krah të koalicionit të djathtë qeverisës. Madje Xhuveli, përveçse siguroi një post si ministër dhe disa poste të tjera të nivelit të dytë, arriti t’i merrte dhe tre deputetë PD-së, duke krijuar një grup parlamentar të vetin. Idriz Xhomarra, Ramiz Çobaj dhe Flori Bajramaj iu dhanë hua zotit Xhuveli, i cili arriti edhe njëherë që jo vetëm të ngelte në pushtet, por edhe të ushtronte një influencë të vetën në Parlament.
Krijimi i PDK-së
Jo shumë kohë pasi deputeti i PDR-së Ferdinand Xhaferri iu rikthye Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, një lëvizje e bujshme për kohën filloi të shfaqej në horizont. Ishte rikrijimi i Partisë Demokristiane, e cila zë vendin e parë për nga larmia e deputetëve të importuar nga partitë e tjera. Kjo parti krijoi një grup parlamentar me tre deputetë të importuar nga PDR-ja, dy të tjerë të importuar nga PS-ja, një nga PAA-ja e Xhuvelit dhe një nga PAD-ja. Ndërsa vetëm dy deputetë të grupit ishin futur në zgjedhje me siglën e PDK-së. Më konkretisht nga PDR-ja erdhën deputetët Nard Ndoka, Frrok Gjini dhe Jak Ndokaj, nga PS-ja erdhën deputetët Tom Doshi dhe Hamit Kosta, mandej erdhi Pashk Ujka nga PAD-ja dhe Ymer Tola nga PAA-ja. Vetëm Ndue Shpani dhe Nikoll Lesi ishin anëtarë të këtij grupi, që ishin futur në Kuvend me siglën e PDK-së. Edhe në rastin e krijimit të këtij grupi Partia Socialiste humbi dy deputetë të tjerë, ndërsa “më e keqja” do të trokiste pas pak.
Grupimi i Nanos
Për rreth një vit rresht Fatos Nano kishte dhënë mesazhin e tij se po kërkonte të ishte president i shqiptarëve. Madje Nano, si për të krijuar imazhin e një politikani të ”pavarur”, thuajse nuk ekzistonte në Kuvend, ndërsa marrëdhëniet e tij me kreun e ri të socialistëve Rama ishin në pikëpyetje gjatë gjithë kohës. Kur afruan zgjedhjet u pa qartë se Nano nuk gëzonte aspak mbështetjen e partisë së tij, ndërsa PS-ja ishte e interesuar për një kandidat apolitik e për pak sa nuk arriti dhe një pakt me PD-në për ushtarakun Arjan Zaimi. Por kjo marrëveshje u prish në momentin e fundit pasi Berisha u sigurua se mund të bënte president Bamir Topin me anë të besnikëve të Nanos në Kuvend. Tauland Dedja, Paulin Sterkaj, Durim Hushi, Durim Lamaj, Bukurosh Stafa dhe Hamit Kosta votuan pro kandidatit Bamir Topi, ndërsa një ditë më vonë Partia Socialiste nuk vonoi t’i quante si tradhtarë, duke i përjashtuar nga radhët e partisë. Nuk vonoi shumë dhe kreu i Grupit Parlamentar, Ben Blushi, dha dorëheqjen si pasojë e kësaj hemorragjie votash. Deputetët e përjashtuar vazhduan të votonin sipas preferencave të tyre, por një vit më vonë edhe deputeti Petro Koçi filloi të vepronte kështu, pasi doli hapur kundër drejtuesve të PS-së, duke kundërshtuar madje dhe paktin PS-PD për sistemin zgjedhor.
Votimi i Topit, “tradhtarët” deklaruan hapur votën e tyre
Gjashtë mbështetësit e Nanos, ndonëse nën presionin e partisë së tyre, e thyen vendimin e PS-së dhe shkuan në Parlament për të votuar pro kandidatit për president, Bamir Topi. I pari që mbërriti në Kuvend ishte deputeti Tauland Dedja, i cili ka theksuar se veprimi i tij ishte si përgjigje ndaj thirrjes së kandidatit Ceka për të marrë pjesë në seancë. Ai ka deklaruar se nuk mund të respektonte vendimin e PS-së për të mos marrë pjesë në seancë, pasi sipas tij ai nuk ishte një vendim institucional. "Meqenëse në PS sot nuk ka të ngritur asnjë strukturë vendimmarrëse, sepse kryetari i partisë nuk mund të jetë strukturë vendimmarrëse me statut, unë iu përgjigja thirrjes së z. Ceka, që opozita të vijë në Parlament dhe të respektojë Kushtetutën", - tha Dedja. Menjëherë pas tij në oborrin e Kuvendit mbërritën tre deputetët e tjerë të qarkut të Elbasanit, Durim Hushi, Bukurosh Stafa dhe Hamit Kosta, të cilët janë deklaruar hapur se kishin vendosur të thyenin një vendim politik të partisë së tyre për të kryer një detyrim kushtetues, siç ishte ai i zgjedhjes së presidentit. Ndërsa deputeti Kosta nuk ka pranuar ta komentojë pjesëmarrjen e tij, dy deputetët e tjerë, Hushi dhe Stafa, nuk kanë ngurruar të shprehen kundër vendimit të opozitës për të bojkotuar seancën. Hushi ka theksuar se vendimi për të marrë pjesë në seancë ka ardhur si rrjedhojë e domosdoshmërisë që ka vendi për stabilitet politik. Ndërkohë që deputeti tjetër socialist, Paulin Sterkaj, për të shmangur kontaktin me mediat, ka preferuar të hyjë në sallën e Kuvendit në një nga hyrjet e rezervuara për kryetaren e Kuvendit dhe kryeministrin. Hyrja e tij në sallë është pritur me duartrokitje nga deputetët demokrat. Në një kohë kur seanca kishte filluar, në Kuvend ka mbërritur dhe deputeti i gjashtë socialist, Durim Lamaj, i cili, i mbërthyer nga emocionet, nuk ka ngurruar ta deklarojë votën e tij hapur pro kandidatit demokrat Bamir Topi. "Kam ardhur të luftoj politikën e vjetër Ceka-Rama. Vota ime do të jetë për Bamir Topin si përfaqësues i politikës së re", - u shpreh deputeti Durim Lamaj. Në seancë ka qenë i pranishëm dhe deputeti tjetër socialist, Besnik Dervishi, por nuk ka votuar. Pjesëmarrja e tij ka qenë në cilësinë e anëtarit të komisionit të votimit.
“Grupi i Qendrës”, formati më i ri në qeveri me votat e PS-së
Vetëm një vit pas përjashtimit të tyre nga strukturat e Partisë Socialiste, deputetët Durim Lamaj, Durim Hushi, Bukurosh Stafa dhe Paulin Sterkaj janë bashkuar në një iniciativë dhe në një synim të përbashkët, krijimin e një grupi të ri parlamentar. Në këtë iniciativë është përfshirë edhe demokristiani Pashk Ujka, i cili u shkarkua nga posti i kreut të Grupit Parlamentar të PDK-së. Pesë deputetëve u janë bashkuar edhe deputeti republikan, Alfred Gega, si dhe deputeti demokrat i qytetit të Durrësit, Flori Bajrami. Të pakënaqur nga sfera politike dhe nga mënyra e qeverisjes, 7 deputetë të Parlamentit Shqiptar iniciojnë një nismë të re ku mund të ushtrojnë në mënyrën që duan aktivitetin e tyre politik. “Grupi i Qendrës në këtë Kuvend nuk përfaqëson interesa të ngushta partiake dhe nuk ka si qëllim të konkurrojnë idetë, sugjerimet dhe vendimet. Ky grup nuk ka si qëllim të japë një model të caktuar veprimi, por do të bëjë kujdes të mos i shërbejë asnjë partie. Ju bëjmë të ditur se do të tentojmë të unifikojmë qëndrimet tona për të votuar në Parlament”, - u shpreh ish-socialisti Paulin Sterkaj pak ditë më parë në Kuvend. “Grupi i Qendrës” është i vetmi emër që bashkon katër grupe parlamentare, socialistë, demokratë, republikanë e demokristianë. Në këtë “vorbull”, si një surprizë për fundin e sesionit parlamentar, u përfshinë ish-deputetët e PS-së, të cilësuar si mbështetësit e Nanos dhe të përjashtuar nga kjo parti për shkak se votuan pro zgjedhjes së Bamir Topit si President i Shqipërisë. Gjithashtu, në këtë grupim përfshihen edhe deputetët e grupeve të tjera parlamentare, të cilët janë të pakënaqur nga qeverisja e partive që përfaqësojnë. Këtu bën pjesë edhe ish-kryetari i Grupit Parlamentar demokristian, Pashk Ujka, i cili u përjashtua nga posti që mbante. Ky grup është prezantuar zyrtarisht një javë më parë në seancë plenare nga ish-deputeti socialist, Paulin Sterkaj.
1 Gusht 2008