E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronarët, rikthimi i ligjit nga Presidenti shtyn afatin e kompensimit



Eljona Ballhysa

Lista me emrat e pronarëve që do të përfitojnë kompensim nga qeveria për tokën e zënë nga ndërtimet pa leje, do të dërgohet në qeveri, jo sot në datën një gusht, por në datën 20 gusht. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale, Shaban Memia, bën të ditur për gazetën “Albania” se afati i dorëzimit të listave në qeveri është shtyrë për shkak të rikthimit në Kuvend të ligjit të legalizimeve nga Presidenti Topi. Sipas Memisë, në ligj është parashikuar që lista me emrat e pronarëve që përfitojnë kompensim të dërgohej në qeveri në datën 1 gusht, por sipas tij rikthimi në Kuvend i ligjit solli vonesa në futjen e tij në fuqi. Memia bën të ditur se ligji i ri i legalizimeve ka hyrë në fuqi në datën 20 korrik dhe në bazë të tij, një muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit, Agjencia e Legalizimeve duhet të dorëzojë listën me emrat e pronarëve. “Lista me emrat e pronarëve nuk do të dërgohet në datën 1 gusht në qeveri, pasi ka një shytyrje të afatit, për shkak të mosdekretimit të ligjit nga Presidenti, i cili e riktheu sërish në Kuvend për rishqyrtim. Në bazë të ligjit, Agjencia duhet të dërgojë listën e pronarëve për miratim në qeveri një muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në ligj. Ligji ka hyrë në fuqi në datën 20 korrik, kështu që dhe ne do të dorëzojmë listën në datën 20 gusht”, ka sqaruar për gazetën Albania, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimeve, Shaban Memia.
Kompensimi
Sipas Memisë, Agjencia e Legalizimeve ka punuar gjatë gjithë kësaj periudhe dhe aktualisht ka gati listën me emrat e pronarëve që do të përfitojnë kompensim nga qeveria për tokën e zënë nga ndërtimet pa leje. Ai bën të ditur se është punuar në qindra zona të territorit të Shqipërisë për të arritur në këtë listë. Megjithatë, Memia shton se ka ende disa detaje për të cilat ekspertët e agjencisë po punojnë nga dita në ditë. Në bazë të ligjit të legalizimeve, ALUIZNI, në bashkëpunim me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme identifikon rastet kur parcela ndërtimore, në të cilën është ngritur objekti informal, figuron e regjistruar në regjistrat e pronave të paluajtshme në pronësi të të tretëve. Më tej, ALUIZNI i dërgon Këshillit të Ministrave, për vendimmarrje, materialin me të dhënat për çdo pronar të ligjshëm dhe për sipërfaqet takuese, jo më vonë se 30 ditë, nga data e dërgimit të listës paraardhëse. Afati i parë për dërgimin e kësaj liste është data 20 Gusht 2008. Hapi tjetër, i Agjencisë së legalizimeve pas plotësimit të dokumentacionit, është miratimi i legalizimit të ndërtimit informal dhe lëshimi i lejes së legalizimit. Pronarët do të kompensohen me vlerën e tregut të përcaktuar nga harta e pronave, për truallin e zënë. Por, gjithashtu, pronarët mund të kompensohen dhe me truall tjetër, në zonat bregdetare ose në zona të tjera që janë pjesë e fondit të lirë të tokave.
Fondi
Paratë për kompensimin e pronarëve do të mblidhen nga procesi i legalizimeve. Në ligjin e legalizimeve është parashikuar se 80% e të ardhurave që do të përftohen nga procesi i legalizimeve do të përdoren për kompensimin e pronarëve tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale dhe 20% do të përdoren nga njësitë e qeverisjes vendore për urbanizimin e këtyre zonave. Në zonat informale kanë një numër të caktuar individësh që do të bëjnë pagesa për objektet e ndërtuara pa leje, pasi 30% e tyre janë ndërtuar në tokë private, 30% janë në tokë shetërore dhe 30% në tokat e pronarëve të ligjshëm. Sipas llogaritjeve të ekspertëve të agjencisë së legalizimeve, procesi i legalizimit hap pas hapi realizon kompensimin e plotë të pronarëve të ligjshëm.

Javën e ardhshme qeveria miraton vendime të reja për legalizimet

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimeve, Shaban Memia bëri të ditur se javën e ardhshme kjo agjenci do të dërgojë në qeveri tre vendime të reja që i vijnë në ndihmë procesit të legalizimit. Memia bëri të ditur se vendimet që pritet të miratohen nga qeveria plotësojnë ndryshimet e miratuara nga ligjin e legalizimeve dhe lehtësojnë procedurat për realizimin e këtij procesi. Vendimet lidhen me procedurat që do të ndiqen për të mbledhur paratë nga qytetarët që do të legalizojnë objektet e tyre, si dhe të gjitha hapat që do të ndërmerren deri në dhënien e lejes së legalizimit, proces ky që i hap rrugën ligjërimit të objekteve të ndërtuara pa leje dhe futjen e tyre në tregun e ndërtimeve.

Cilat janë procedurat për legalizimin e ndërtimeve informale

Sipas të dhënave nga ALUIZNI procesi i legalizimive fillon nga njësia e qeverisjes vendore, ku janë ngritur ndërtimet informale të vetëdeklaruara. Kjo njësi kryen kualifikimin e tyre dhe dërgon pranë drejtorisë rajonale të ALUIZNI-t, brenda 60 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, dokumentacionin e mbledhur gjatë fazës së vetëdeklarimit dhe argumentimin tekniko-ligjor të kualifikimit. Kur njësia e qeverisjes vendore nuk ushtron përgjegjësinë për kualifikimin e objekteve informale, brenda afatit, kjo përgjegjësi ushtrohet nga ALUIZNI. Më pas drejtoria rajonale e ALUIZNI-t bën përpunimin e të dhënave të ndërtimeve pa leje, në përputhje me situatën e paraqitur nga fotografimi ajror dixhital sipas ndarjes kadastrale. Pra përpunohen të dhënat për ndërtimet informale, që nuk përjashtohen nga legalizimi, ALUIZNI plotëson dokumentacionin tekniko-ligjor. Përgjatë procedurës së hartimit dhe plotësimit të dokumentacionit, ALUIZNI, në bashkëpunim me ZRPP-në, identifikon rastet kur parcela ndërtimore, në të cilën është ngritur objekti informal, figuron e regjistruar në regjistrat e pronave të paluajtshme në pronësi të të tretëve. Më tej ALUIZNI i dërgon Këshillit të Ministrave, për vendimmarrje, materialin me të dhënat për çdo pronar të ligjshëm dhe për sipërfaqet takuese, jo më vonë se 30 ditë, nga data e dërgimit të listës paraardhëse. Afati i parë për dërgimin e kësaj liste është data 20 gusht 2008. Hapi tjetër, i Agjencisë së legalizimeve pas plotësimit të dokumentacionit, është miratimi i legalizimit të ndërtimit informal dhe lëshimi i lejes së legalizimit.

1 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›