E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA-të, të shqetësuara mbi mundësinë e manipulimit të zgjedhjeve të 2009-s



Habjon Hasani
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të shqetësuara lidhur me revanshin institucional të shumicës, ndërsa duket se qeveria shqiptare nuk jep dot asnjë garanci për zgjedhjet e ardhshme. Gazeta “Albania” ka mundur të kontaktojë disa gazetarë shqiptarë, që dy ditë më parë kanë takuar zyrtarin e lartë amerikan, i cili në takim ka shprehur shqetësime serioze për disa çështje kyçe. Natyrisht që çështja më imediate lidhet me mungesën e garancive nga qeveria shqiptare për zgjedhjet e vitit 2009, ndërsa acarimi i marrëdhënieve të saj me OSBE-në përbën një moment shumë delikat dhe të dyshimtë për diplomatin e lartë amerikan në Tiranë. Gjatë takimit me gazetarët, diplomati amerikan ka lënë të kuptohet se qeveria shqiptare jo vetëm i ka ftohur marrëdhëniet me OSBE-në, por ajo duket se po ndërmerr veprime për shmangien e monitoruesve të OSBE-së gjatë zgjedhjeve të ardhshme dhe për largimin e këtij misioni nga vendi. “Përse duhen larguar monitoruesit e procesit zgjedhor në një vit elektoral nga Shqipëria? Kjo është një pyetje që ngre dyshime të vjetra për qeverinë aktuale”, -mësohet të jetë shprehur diplomati amerikan.
Horror
Ndërsa çështja e zgjedhjeve është ajo më e ngutshmja, një tjetër problem themelor në lidhje me qeverinë shqiptare është vërejtur në sistemin e drejtësisë. Në bazë të deklarimeve të diplomatit amerikan, në epiqendër të këtij problemi është çështja e Gërdecit. “Albania” mësoi se pas letrës që kryeparlamentarja Topalli i shkroi kryeprokurores Ina Rama dhe pas qëndrimit të Ambasadës mbi këtë çështje u krijua një klimë shumë e vështirë. Sikurse e do procedura, Ambasada ia ka kaluar Departamentit të Shtetit korrespondencën e saj me Topallin si dhe korrespondencën e kryeparlamentares me kryeprokuroren. “Ata as e imagjinonin se një kryetare parlamenti mund t’i kishte dërguar një letër të tillë kryeprokurores së vendit. Ajo ishte një letër horror”, - mësohet të ketë thënë zyrtari i lartë i Ambasadës Amerikane në takimin me gazetarët dy ditë më parë.
Drejtësia
Një problem shumë shqetësues për zyrtarin amerikan paraqet dhe përgatitja e terrenit për dobësimin e kompetencave të Prokurorisë apo dhe për kontrollin mbi të. Sipas diplomatit amerikan në Tiranë, ”Ambasada po ndjek me shumë vëmendje ecurinë e projektligjit, ndërsa ka një mungesë arrogante transparence nga ana e Ministrisë së Drejtësisë lidhur me pika shumë jetike për pavarësinë dhe integritetin e këtij institucioni”. Qëndrimi i maxhorancës dhe sidomos i Ekzekutivit ndaj institucioneve të drejtësisë po shihet nga Ambasada Amerikane si një “frymë e errët”, që cenon direkt dhe zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit, ku sipas diplomatit amerikan, “Shtetet e Bashkuara janë shumë të interesuara për zbardhjen deri në fund të saj, pavarësisht se deri sa larg do të shkojë përgjegjësia apo niveli i personave të implikuar”. Një moment po aq i rëndësishëm lidhet me “dritëhijet” e ratifikimit të marrëveshjes të pranimit të Shqipërisë në NATO. Sipas diplomatit, ”Shtetet e Bashkuara kanë një presion gjithnjë e në rritje nga shumë shtete lidhur me garancitë e Shqipërisë, sidomos pas performancës negative të kryeministrit në Kuvend ndaj deputetit Balla”.

1 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›