Kodheli: “Meta të mos merret me gratë opozitare”
Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, ka reaguar pas deklaratave të kreut të LSI-së, Ilir Meta, i cili tha se Rama po përdor gratë e PS-së për ta sulmuar. “Jemi të shokuar nga berishizmi i Ilir Metës dhe nga ngjashmëria e tij me zëdhënësin e Sali Berishës, por kjo është zgjedhja e tij. Sot jam këtu për t‘i thënë atij të mos merret me gratë opozitare, që e thonë hapur atë që mendojnë. Si njëra ndër to, i them se mua më nxjerr në publik kundër Sali Berishës dhe së fundi edhe kundër tij, bindja ime se Sali Berisha po e shkatërron këtë vend, kurse Ilir Meta është bërë paterica e tij. Ndaj duhet t’i vijë turp për gjuhën që po përdor, duke bërë të revoltuarin, ndërkohë që çdo shqiptar revoltohet sot me këtë gjuhë, që çedukon fëmijët dhe dëshpëron qytetarët”, - tha Kodheli.
7 Mars 2009