E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, drejtuesve lokalë të PS-së: Afroni në PS sa më shumë anëtarë të partive të tjera

Kreu i PS-së takohet me strukturat lokale të PS-së në prag të fushatës elektorale. Në takim diskutohet edhe për çështjen e kartave të identitetit dhe për Rrjetin e Vullnetarëve

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u kërkon drejtuesve lokalë të PS-së që të nisin një fushatë intensive anëtarësimesh të reja në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit. Rama është takuar dje në Tiranë me drejtuesit e strukturave vendore të Partisë Socialiste nga e gjithë Shqipëria, në një takim që është zhvilluar pa praninë e mediave. Burime për gazetën bënë të ditur se objekt i këtij takimi kanë qenë përgatitjet e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 28 qershorit. Mësohet se Rama u ka thënë drejtuesve vendorë që të përqendrojnë energjitë e tyre në afrimin e sa më shumë anëtarëve nga partitë e tjera në gjirin e Partinë Socialiste. Rama ka deklaruar se baza socialiste duhet të afrojë sa më shumë anëtarë, qofshin këta të partive të majta, apo të partive të djathta, duke e lidhur këtë fakt me filozofinë e tij politike, sipas së cilës ka ardhur koha për Bashkimin e madh të qytetarëve shqiptarë përtej ndasive politike.

Takimi
Gjatë takimit të zhvilluar dje ka folur edhe kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kreu i Shtabit Elektoral të PS-së, Gramoz Ruçi. Ai është ndalur kryesisht në çështjen e kartave të identitetit, ku ka shprehur shqetësimin për vonesat në procesin e shpërndarjes së kartave dhe rrezikun që u kanoset zgjedhjeve si rezultat i këtyre vonesave. Ruçi u ka kërkuar drejtuesve lokalë të PS-së që ta monitorojnë me shumë vëmendje këtë proces dhe të raportojnë dhe të denoncojnë çdo veprim që ka për qëllim manipulimin e zgjedhjeve, duke shfrytëzuar parregullsitë e këtij procesi. Mësohet se strukturat vendore të PS-së kanë evidentuar të gjithë shtetasit që nuk kanë pasaportë, të cilët njihen si votues të PS-së. Këtyre strukturave u është kërkuar që të denoncojnë fuqishëm në rast se këta shtetas do të mungojnë në listën e përgatitur nga Ministria e Brendshme, për shtetasit që duhet të pajisen më shpejt me kartat e identitetit. Ruçi u ka kërkuar gjithashtu drejtuesve vendorë të PS-së që të përfundojnë me sukses përgatitjet paraelektorale, me qëllim që këto struktura të jenë të gatshme për nisjen zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit.
Vullnetarët
Veprimtaria e Turit të Rrjetit të Vullnetarëve të Partisë ka qenë një tjetër temë e diskutuar në takimin e zhvilluar të strukturave vendore të Partisë Socialiste. Ka qenë Saimir Tahiri, drejtuesi i këtij grupi, i cili ka folur rreth rezultateve të arritura gjatë turit të Rrjetit të Vullnetarëve të Partisë Socialiste. Tahiri ka bërë publik numrin e personave në të gjitha qytetet e vendit, të cilët i janë bashkuar vullnetarëve. Sipas Tahirit, struktura e Rrjetit të Vullnetarëve të Partisë Socialiste është e gatshme që të angazhohet për fushatën elektorale. Vullnetarët do të shkojnë derë më derë për të punuar me elektoratin. Objektivi i punës së tyre do të jenë edhe zgjedhësit e pavendosur.

7 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›