E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri anglez: “Hapja e dosjeve të bëhet në përputhje me Kushtetutën

Vernon Koker: “Vendimi i Kushtetueses duhet respektuar”. “Do të rishikohen të gjithë azilantët shqiptarë me identitet të rremë”

Eljona Ballhysa
Ministri britanik i Shtetit, Vernon Koker, në përfundim të vizitës së tij në Shqipëri, e ka sugjeruar qeverinë shqiptare që të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e dosjeve dhe të reflektojë për ndryshimet në këtë ligj. Këtë deklaratë Koker e bëri gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ambasadorin e Anglisë në Shqipëri, Fraser Uillson. Gjatë vizitës dyditore në Tiranë Koker takoi personalitete të larta të vendit, ku në qendër të bisedimeve ishte zbatimi i ligjit të dosjeve dhe bashkëpunimi në fushën e ekstradimit të të dënuarve respektivë.
Sugjerimet
I pyetur për debatin për ligjin e dosjeve, Koker tha se qeveria duhet të presë vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Ai tha se hapja e dosjeve duhet realizuar, por në përputhje me Kushtetutën. “Ne i kuptojmë ndjenjat e shqiptarëve për t’u ndarë nga krimet e së kaluarës, vrasjet, torturat dhe kryeministri na shpjegoi se si Shqipëria po përpiqet të shkëputet nga e kaluara. Qëndrimi ynë është se pavarësisht se përpiqeni për t’u ndarë nga e shkuara, duhet të gjeni një mënyrë kushtetuese për ta bërë. Mësova se 48 orë më parë Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim çështjen dhe ky vendim do t’i japë mundësi qeverisë të reflektojë”, - është shprehur Koker.
Në lidhje me bashkëpunimin në fushën e drejtësisë dhe policisë, ministri Koker u shpreh se Britania e Madhe do ta ndihmojë Shqipërinë me të kërkuarit që fshihen në Britaninë e Madhe, por ka saktësuar se kjo do të bëhet sipas ligjeve në fuqi që ka Anglia. Duke marrë si rast në veçanti të akuzuarin për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, Ilir Kumbaron, ai u shpreh se duhet të përfundojë procesi gjyqësor dhe më pas të vendoset nëse do të ekstradohet apo jo. Gjatë fjalës së tij, ministri britanik gjithashtu theksoi se do të rishikohen të gjithë azilantët shqiptarë në Angli që mbajnë identitet të rremë. “Kemi kontaktuar me qeverinë shqiptare për ekstradimin e Ilir Kumbaros dhe çështja po zgjidhet nga autoritetet gjyqësore britanike, ndaj nuk mund të bëj deklarime të tjera”, - vijoi Koker.
Në fund të konferencës, Koker, i pyetur për situatën parazgjedhore në Shqipëri, tha se “Shqipëria ka bërë hapa përpara progresive dhe problemet që shfaqen në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit janë probleme që hasen në çdo vend demokratik”.
Vizita
Ministri britanik përfundoi dje vizitën dyditore në Tiranë, gjatë së cilës zhvilloi takime me presidentin Topi, kryeministrin Berisha, ministrin e Brendshëm, Nishani dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Prençi. Gjatë këtyre takimeve Koker ka vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira dhe lidhjet shumë të ngushta të bashkëpunimit midis dy qeverive. Ai vlerësoi arritjet e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit. Ministri Koker bëri me dije se vizita e tij ka për qëllim të rikonfirmojë këto marrëdhënie, të shprehë mbështetjen e plotë të qeverisë së Britanisë së Madhe për reformat, si dhe për anëtarësimin e plotë në NATO dhe hapat e mëtejshëm të integrimit në BE. Gjatë vizitës Koker u informua në veçanti për ligjin e lustracionit dhe çështjen ekstradimeve të të dënuarve.

19 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›