E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: “Duhet të kishim dëgjuar ndërkombëtarët për dosjet”



Aleati i besuar i kryeministrit Berisha, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, është shprehur dje kundër qëndrimit të qeverisë për ligjin e dosjeve. Mediu ka bërë të ditur se maxhoranca duhej të kishte dëgjuar ndërkombëtarët para se ligji i dosjeve të hynte në një situatë të tillë. Fatmir Mediu ka theksuar më tej se nuk duhet ripërsëritur i njëjti gabim tashmë që ligji ndodhet në Kushtetuese, duke nënkuptuar nevojën për miratimin e ndryshimeve në ligjin e lustracionit. “Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ligjin bazuar mbi kërkesën e disa subjekteve politike, natyrisht dhe me vlerësimet ndërkombëtare, eksperiencat e tyre në vende të ndryshme për këtë çështje duhen vlerësuar shumë seriozisht nga ana jonë”, - është shprehur Mediu. Sipas tij, e djathta duhet të ndërmarrë politika për të zhbllokuar situatën me dosjet. “Në qoftë se flasim për institucione që flasin brenda kuadrit logjik dhe kushtetues, aq më tepër për vetë sensibilitetin që mbart ky ligj, duhet vepruar sa më shpejt”, - ka theksuar Mediu.

19 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›