Kodheli-Vasili, polemika për ftesën e Metës drejtuar Ramës
Mimi Kodheli, anëtarja dhe zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, ka komentuar dje ftesën e bërë nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili i bënte apel kreut të PS-së, Edi Rama, se “duhet të ndahej nga Berisha dhe se duhet t’i bashkohej të majtës së vërtetë”. Kodheli e ka cilësuar këtë ftesë si një ultimatum dhe shantazh ndaj Partisë Socialiste. Ajo tha se Meta duhet të ndërpresë ultimatumet në drejtim të PS-së dhe se duhet t’i rikthehet politikës së re. “Duke rikonfirmuar vullnetin për të vazhduar Dialogun me Shqipërinë reale e për ndërtimin e një bashkimi të ri me çdo shqiptar që do një politike të re, për një jetë më të mirë, pa përjashtuar në asnjë mënyrë as Ilir Metën e as aleatët e tjerë nga ky bashkim, në përsërisim se rruga e fitores sonë është rruga e ndryshimit të mundësisë politike në respekt të miliona shqiptarëve që kërkojnë nga politika t’i udhëheqë drejt së ardhmes, jo t’i mbajë peng të së shkuarës. Ne e ftojmë Ilir Metën t’i flakë tutje armët e politikës së vjetër duke ndalur diversionet, shantazhet dhe ultimatumet për Partinë Socialiste, duke ulur tonet çjerrëse e duke u ngritur në nivelin e shqetësimeve reale të vendit e të njerëzve për të kontribuar pozitivisht, bashkë me të tjerët, në zgjerimin e frontit opozitar që do fitojë zgjedhjet e do hapë një faqe të re për Shqipërinë”, - tha Kodheli.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se lidershipi i PS-së është uzurpuar nga njerëz që nuk kanë lidhje me socialistët e vërtetë dhe nga njerëz të cilët bashkëpunojnë ngushtë me Berishën. “LSI-ja vlerëson se socialistët e vonë dhe të qelepirit që kanë uzurpuar lidershipin e Partisë Socialiste dhe që i lidh me PS-në vetëm shpërdorimi për interesat e tyre personale, i pushtetit dhe sakrificave të mijëra socialistëve që me përpjekjet e tyre larguan Berishën nga pushteti, e kanë shumë të vështirë që t’i shpëtojnë kapjes dhe bashkëpunimit të ngushtë me Berishën në dëm të së majtës”, - u shpreh Vasili. Duke komentuar deklaratat e Kodhelit, por edhe iniciativën e LSI-së për mbrojtjen e Kushtetutës, Vasili tha: “LSI vlerëson se këta individë të papërgjegjshëm në lidershipin e PS-së, që flasin lart e poshtë se si rritet kastraveci e domatja, mendojnë se sipas tyre është kjo rruga e duhur, ne u themi se është vetëm një rrugë për të ruajtur shtetin nga shkatërrimi i themelit të tij. Kjo është mbrojtja e kushtetutës së tij, ku në themel të saj janë investuar mbi 2 milionë shqiptarë”.
Sh. Sulçe
28 Prill 2008