E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagimi i ashpër i Mediut: Nuk kthehem në ”kokë turku”

Ish-ministri i Mbrojtjes paralajmëron: “Kujdes me përgjegjësitë!”. Mediu akuzon kryeprokuroren, vendos në dyshim zbardhen e çështjes

Erald Kapri

Fatmir Mediu, ish-ministri i Mbrojtjes dhe aleati kryesor i liderit të maxhorancës, Sali Berisha, duket se ndihet thellësisht i tradhtuar. Gjatë një konference për shtyp, në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit, ai lëshoi akuza drejt organit të Prokurorisë si dhe paralajmëroi se përgjegjësia e tij morale, e shfaqur me dorëheqjen, të mos përdoret si pikë e dobët ndaj figurës së tij. Ai kujtoi se disponon dokumente që provojnë pafajësinë e tij. Mediu vuri në dyshim procesin e hetimit që po zhvillon Prokuroria lidhur me tragjedinë e Gërdecit, duke deklaruar se ka njerëz fajtorë që po lëvizin lirshëm. Ish-ministri i Mbrojtjes la hapur të nënkuptuar se mbi figurën e tij po kërkohet që të përfitohet, por që ai shprehet i bindur se nuk ka për t’u bërë shembulli i keq i politikës shqiptare. “Paraqitja kaq vonë e kësaj kërkese nga Prokuroria e Përgjithshme është e pajustifikueshme dhe mbetet e kompromentueshme. Kam dhënë dorëheqjen si ministër i Mbrojtjes i detyruar vetëm nga morali im dhe dhimbja për tragjedinë e ndodhur, por nuk do të lejoj askënd që përgjegjësinë time morale të tentojë ta kthejë në përgjegjësi ligjore”, - paralajmëroi dhe akuzoi Mediu.
Deklarata
“Jam i hapur dhe i interesuar për zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit”, - u shpreh në fillim të konferencës Fatmir Mediu, duke lënë të nënkuptuar se kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të tij do të pranohej pa mëdyshje nga ai vetë. Por nuk ndodhi kështu, pasi kreu i republikanëve, Mediu, hodhi dyshime mbi procesin e hetimit duke e quajtur pa frikë atë si tendencioz, që ka karakter goditjen ndaj tij. “Në datën 3 prill 2008 i jam drejtuar prokurores së Përgjithshme me një letër ku i kam konfirmuar gatishmërinë time për të dhënë shpjegime në çdo kohë lidhur me ngjarjen e Gërdecit, me qëllim zbardhjen e saj. Asnjëherë gjatë kësaj periudhe, në cilësinë e re procedurale timen nuk më është kërkuar për të dhënë shpjegime pranë organit të Akuzës, gjë e cila mundësohet nga neni 289, paragrafi i parë i Kodit të Procedurës Penale”, - tha Mediu. Menjëherë pas këtij paragrafi, Mediu përforcoi më tej qëndrimin e tij dyshues ndaj procesit. “Tendencioziteti duket edhe në përfundimet e hetimeve të deritanishme, sipas të cilave, Forcat e Armatosura, drejtuesit përkatës të tyre, kanë qenë njëkohësisht të përjashtuar nga procesi apo të urdhëruar, duke krijuar kështu një paradoks logjik në të gjithë përmbajtjen e kërkesës”, - vazhdoi Mediu, duke theksuar se ky është thelbi i kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme. Në deklaratën e tij Fatmir Mediu iu përgjigj indirekt deklaratës së kryeprokurores Ina Rama. Kryeprokurorja Rama tha një ditë më parë se ish-ministri Mediu me veprimet dhe mosveprimet e tij ndikoi në ndodhinë e tragjedisë së Gërdecit. “Në analizën përfundimtare të shkakut të shpërthimit, kryeprokurorja Ina Rama konfirmoi se ngjarja ka ndodhur për shkak të moszbatimit të rregullave të sigurisë gjatë demontimit. Prokurorja gjithashtu duhej të shpjegonte se cili veprim apo mosveprim konkret dhe me dashje i ministrit të Mbrojtjes dhe cili akt i firmosur prej tij ka ulur nivelin e sigurisë në këtë proces”, - u përgjigj Mediu, i cili në fund të deklaratës së tij, u shpreh optimist se hetimi do të shkojë deri në fund për nxjerrjen e përgjegjësisë dhe për këtë do të kontribuonte edhe ai me dokumentacion.
Akuzat
Një mori pa fund akuzash i janë adresuar deputetit republikan Fatmir Mediu, të cilat janë konkretizuar në nismë konkrete, ku u kërkua nga Kuvendi që të nisë procedurën për heqjen e imunitetit. “Gjithçka në Gërdec është kryer në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore të demontimit të armëve, e ndihmuar kjo dhe nga urdhrat e dhëna nga ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu”, - konfirmoi një ditë më parë kryeprokurorja Ina Rama. Në bilancin e publikuar, tragjedia e Gërdecit përfshin 26 persona që kanë humbur jetën, rreth 250 të tjerë të plagosur, ndërsa dëmet materiale përllogariten në afro 2.4 miliardë lekë, ose rreth 20 milionë euro. Për të gjitha këto organi i Akuzës i kërkoi Parlamentit heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut, për të vazhduar më tej ndjekjen penale. Tashmë pritet që të fillojë zbatimin neni numër 118 i Rregullores së Kuvendit, i cili parashikon shqyrtimin e kësaj kërkese nga Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, brenda 4 javëve harton një raport që i përcillet seancës plenare, në të cilin rekomandohet rrëzimi ose miratimi i dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit në fjalë. Ndërkohë, deputetët e Kuvendit vendosin me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Kuvendi, vetëm katër muaj më parë i hoqi imunitetin ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha.

28 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›