E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodheli: Vokshi, korrupsion me 2 hidrocentrale



Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, akuzoi dje Qeverinë për korrupsion, duke përmendur sipas saj një shembull të pastër korrupsioni. Kodheli deklaroi se ish-këshilltarja e Kryeministrit, aktualisht deputetja e PD-së, Albana Vokshi, ka përfituar në mënyrë jo të ndershme dy koncesione hidrocentralesh. "Sot, dëshirojmë të ndalemi tek një tjetër deputete, katërvjeçarin e kaluar këshilltare e Berishës për ekonominë, Albana Vokshin. Nëse do i referoheshim deklarimit të pasurisë së znj. Vokshi, do të shihnim se kjo zonjë rezulton një nga deputetet me më pak të ardhura të Parlamentit shqiptar. Ndërkohë, kompania "Albaenergiaplus", e themeluar në vitin 2006 nga Arian Tartari, bashkëshorti i zonjës Vokshi, ka përfituar plot dy koncesione hidrocentralesh: hidrocentralin Suha2 dhe një tjetër mbi lumin Kardhiq. Ajo çka të bën përshtypje është se në të dy rastet, kompanisë së bashkëshortit të zonjës Vokshi, i është dashur bonusi i dhënë nga Ministria e Ekonomisë për të dalë firmë fituese në tender. Thënë më thjesht, subjekti "Albaenergiaplus", me aksionar të vetëm Arian Tartarin, ka përfituar dy koncesione për ndërtime hidrocentralesh në dy tenderë të korruptuar", - tha Kodheli. Deputetja e PS-së tha më tej se në ditët në vijim do të ketë denoncime të tjera nga Partia Socialiste. "Fatkeqësisht, bëmat e korrupsionit nuk mbarojnë me kaq. Në ditët në vijim do të keni mundësi të njiheni me të tjera raste korrupsioni, edhe më të rënda se këto", - bëri të ditur Kodheli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›