E Diel, 1 Nëntor 2026

ALUIZNI: Dy muaj afat për legalizimin e vilave në bregdet

Prej datës 10 gusht do të nisë legalizimi i vilave në bregdet sipas ligjit të miratuar në Kuvend.

Agjencia e Legalizimeve bëri me dije se pas 10 gushtit të gjithë subjektet e interesuara që përfitojnë nga ligji, duhet të paraqesin pranë kësaj agjencie dokumentacionin e kërkuar. "ALUIZNI, njofton personat e interesuar se prej datës 10 Gusht 2010 nis procedura e plotësimit të kërkesës, për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin e njësive të ndërtuara, në zonat e stimuluara, me përparësi turizmin, në përputhje me ligjin nr.10186, datë 5.11.2009, "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin". Kërkesat paraqiten pranë Drejtorisë Qendrore të ALUIZNI-t, brenda 60 ditëve nga nisja e procedurës", - thuhet në njoftimin e ALUIZNI-t. Më tej, bëhet e ditur se edhe subjektet kanë të drejtë të bëjnë kërkesën. Sipas ligjit kanë të drejtë të paraqesin kërkesë subjektet e interesuara, që janë persona fizikë apo juridikë, të cilët gëzojnë njësinë e ndërtuar dhe që kanë kryer një veprim juridik të drejtpërdrejtë ose të rrjedhur me personin e stimuluar, për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar, të ngritur brenda zonës së stimuluar, përpara datës së hyrjes në fuqi të ligjit nr.10186, datë 5.11.2009 "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin". Njëkohësisht, mund të aplikojnë edhe personat e stimuluar, të cilët janë persona fizikë apo juridikë, që kanë lidhur marrëveshje qiraje dhe zhvillimi me qiradhënësin (autoritetin shtetëror), për një veprimtari të stimuluar.
Dokumentacioni
Plotësimi i kërkesës shoqërohet dhe nga paraqitja e dokumentacionit. Kështu, dokumentacioni që paraqitet nga subjekti i interesuar është kontrata e lidhur me personin e stimuluar, për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi njësinë e ndërtuar, planimetria dhe sipërfaqja e njësisë së ndërtuar, një dokument pronësie për njësinë e ndërtuar, (nëse disponojnë) si dhe një kopje të dokumentit të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar. Dokumentacioni që paraqitet nga personi i stimuluar është një marrëveshje e qirasë apo zhvillimit, leja e ndërtimit për njësinë e ndërtuar, planimetria dhe sipërfaqja në m² për njësinë e ndërtuar, dokumente pronësie për njësinë e ndërtuar, ( nëse disponojnë) si dhe një kopje të dokumentit të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar. Vendimi i Qeverisë parashikon që brenda periudhës 6-mujore, personat e prekur nga ligji për të përvetësuar truallin, duhet të dorëzojnë pranë Agjencisë së Legalizimit dokumentacionin financiar, që vërteton kryerjen e pagesës. Më pas, nis procedura e nënshkrimit të kontratës, e cila bën të mundur kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin. Në rastin e kundërt, kur pagesa nuk është bërë plotësisht brenda afatit, subjekti apo personi e humbasin të drejtën për kalim të pronësisë dhe shuma e paguar deri në atë moment kthehet pas. "Në rastet kur subjekti i interesuar apo personi i stimuluar kanë paguar një pjesë të çmimit të truallit, por nuk e kanë shlyer tërësisht pagesën, brenda afatit të parashikuar në pikën 2 të këtij vendimi, atij i humbet e drejta për të lidhur kontratën e kalimit të pronësisë dhe i kthehet shuma e paguar", - thuhet në vendim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›