E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi Ajror, PS: Aviacioni staf me militantë. Energjia, debat në Kuvend

TIRANE-Parlamenti nisi seancen e radhes plenare ku pritet te miratohen 2 pr/ligje. Pas miratimit të ndryshimeve të Kodit Ajror në Komisionin e veprimtarive prodhuese, pritet që ky Kod të kalojë sot edhe në seancën plenare të Kuvendit. Në seancën e sotme plenare pritet që opozita të votojë pro këtij kodi i cili u miratua në komisionin me konsensus nga të dyja palët.
Në rendin e ditës, Kuvendi do të diskutojë edhe projektligjet “Për sektorin e energjisë elektrike”; “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike”. Projektligji për disa ndryshime në “Për sektorin e Energjisë Elektrike, të ndryshuar” pritet të shoqërohet me debate në sallën e Kuvendit, pasi deputetët e majtë kanë kërkuar që në lidhje me ndryshimet në ligj të dëgjohen edhe grupet e interesit, por kjo kërkesë është hedhur poshtë mga mazhoranca.

Ndërkohë gjatë seancës së sotme janë thirrur në interpelancë, përkatësisht ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto nga deputetja socialiste Arta Dade dhe ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, i cili është thirrur në interpelancë nga deputeti i PS-së, Eduart Shalsi. 

CFARE REALIZON PR/LIGJI PËR ENERGJINË
P/ligji "Për energjinë" realizon hapjen dhe liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në Shqipëri, ndryshon skemën e furnizimit në tregun e energjisë, ku veç Klientëve Tariforë, që furnizohen me energji me çmime të rregulluara nga ERE, do të futen dhe Klientë të Kualifikuar, që do të furnizohen përmes Furnizuesve të Kualifikuar.
Ndonëse në treg ERE ka licencuar vitet e fundit disa Klientë të Kualifikuar, ata u kthyen në Klientë Tariforë, duke u furnizuar nga ÇEZ-i me energji elektrike, që prodhohet dhe sigurohet nga KESH-i, por me tarifa të rregulluara. Ky kapërcim statusi u shoqërua me transferimin e marrëdhënieve tregtare dhe me rritjen shumë të madhe të kërkesës për energji elektrike në dy vitet e fundit, duke rënduar arkën e KESH-it.
Në këtë ndryshim ligjor synohet që konsumatorët e energjisë të lidhur me rrjetin nga 110 kV e lart të transmetimit të energjisë dhe ata që konsumojnë mbi 50 milionë këh/vit energji elektrike, të konsiderohen Klientë të Kualifikuar dhe të furnizohen me energji elektrike në treg të lirë nga Furnizuesit e Kualifikuar.
Aktualisht ERE ka licensuar mbi 7 shoqëri tregtare, që sigurojnë furnizimin me energji elektrike për Klientët e Kualifikuar në tregun e lirë.
Pritet që nga kjo ndërhyrje në ligjin "Për sektorin e energjisë", energjia e prodhuar nga HEC-et e mëdha me kosto të ulur dhe kapital 100 për qind shtetëror, do të furnizojë konsumatorët Ndryshimet ligjore parashikohet të vihen në jetë në vitin 2012

NAÇO: LIGJI ENERGJINË NDALON RRITJEN E ÇMIMIT TË ENERGJISË
Ora 13:10- Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço u shpreh sot në Kuvend, ku deputetët po diskutojnë p/ligjin "Për disa ndryshime në ligjin për Energjinë", se "ky ligj shkon në favor të konsumatorit, pasi nuk do të ketë më rritje të çmimit dhe ndërprerje të energjisë".

Naço shpjegoi ndryshimet kryesore ligjore, të cilat liberalizojnë tregun e energjisë në vend me futjen e operatorëve të tjerë privat, ç'ka sjell uljen e kostos dhe sidomos, çmimi i energjisë nuk do të ketë më rritje artificiale.

"Me këtë ligj ne i heqim barrën CEZ-it prej rreth 40 milionë euro në vit ndaj KESH-it, heqim faturat afrofe, do të hiqet Policia Elektrike, heq mundësinë e borxheve të këqija nga ndërmarrjet e mëdha. Me këtë ligj eleminohet monopoli i shpërndarjes së energjisë elektrike, futen të tjerë operatorë", tha ai.
Duke i'u përgjigjur pyetjeve të disa prej deputetëve socialistë, Naço tha se ligji rrit kompetencat për ERE-n në drejtim të vendosjes së sanksioneve ndaj kompanive të licencuara për çdo shkelje dhe vendos gjoba të barabarta me 3% të të ardhurave të vitit paraprak".
Deri sot, tha Naço, "konsumatorët e mëdhenj jo familjarë, si kompanitë ACR, Kurum, Armo, Colacem dhe ajo e Fushë Krujës konsumojnë 800 milion këh/vit energji elektrike. Me këtë ligj, këta konsumatorë, që konsumojnë mbi 50 milionë këh/vit, detyrohen të gjejnë vetë burimin e furnizimit me energji".
Sipas tij, në këtë mënyrë CEZ-i do të lirohet nga furnizimi me energji për këtë grup konsumatorësh dhe do të detyrohet me ligj të rrisë investimet për konsumatorët familjarë dhe ata të vegjël.
Naço tha se sot kompania CEZ i ka KESH-it një borxh rreth 50 milionë euro, OST-së 20 milionë euro dhe të tjerë i kanë asaj rreth 20 milionë euro. Në ligj parashikohet që fatura e energjisë si "titull ekzekutiv" të përdoret edhe mes kompanive KESH, CEZ, OST në marrëdhëniet e tyre tregtare.
"Vetëm titulli ekzekutiv për faturat e energjisë i zgjidh këto probleme", tha Naço.
Për hartimin e P/ligjit "Për energjinë" një grup pune në METE punoi për disa muaj pasi vetë ligji përputhet me Direktivën e BE-së për konkurrencën.
"P/ligji liberalizon tregun e furnizimit, i heq monopolin e furnizimit KESH-it si furnizues me shumicë dhe u krijon konsumatorëve të mëdhenj mundësinë që të dalin vetë në treg", tha Naço, që sqaroi se "në këtë treg do të veprojnë dhe klientët e kualifikuar si konsumatorët e lidhur me rrjetin 110 kV e sipër, të cilët konsumojnë më shumë se 50 milionë kwh/vit".
Naço tha se "shtyrja e këtij ligji rëndon KESH-in dhe konsumatorin shqiptar, i cili penalizohet me rritje të çmimit të energjisë".

ENERGJIA, PS: LIGJI MBRON KONSUMATORIN, POR PSE E VONOI QEVERIA?
Ora 13:00-Fjalën më pas e mori deputeti socialist Arben Ahmetaj i cili pyeti se përse ky ligj që reklamohet nga qeveria në favor të konsumatorit dhe që do t’i japin fund klientelizmave dhe monopolit në sektorin energjitik nuk u hartua më parë, por u soll kaq vonë.
“Vonimi i ligjit ka rënduar xhepat e qytetarëve, ka 7 vite që ky ligj nuk është në parlament”, tha Ahmetaj.
Ndërkohë Ministri Bode theksoi se ky ligj nuk është vonuar aspak. Sipas ministrit ligji i jep fund faturave afrofe dhe abuzimeve ndaj qytetarit të kompanive që menaxhojnë energjinë.

HARASANI. LIGJI POZITIV, POR I VONUAR
Ora 12:40-Deputeti socialist, Andi Harasani vlerësoi pozitivisht p/ligjin që po diskutohet në Kuvend, si rrugë që liron KESH-in nga borxhet e mëdha të krijuara nga CEZ-i dhe lehtëson konsumatorin familjar nga rritjet vjetore të çmimit të energjisë. “por, kjo nuk justifikon faktin që ju e vonuat” tha Harasani.

ENERGJIA, DEBAT NACO- DEPUTETE TE PS
Ora 12:20-Ne Kuvend ka nisur shqyrtimi i projektligjeve “Për sektorin e energjisë elektrike”; “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike”. MInistri Nasip Naco po iu pergjigjet interesti te deputeteve socialiste Arben Malaj e Andis Harasani

KODI AJROR, OLLDASHI: JO TYMNAJA KOT, EMËROJMË SPECIALISTË JO MILITANTË
Ora 11:20-Ministri Olldashi reagoi menjëherë pas fjalës së Shalësit duke i kërkuar që mos të kthejnë në cështje politike Kodin Ajror pasi këtu flitet për sigurinë e qëytetarëve. “Shalësi bashkëpunoi shumë mirë në komisionet parlamentare, kurse këtu bën debat politik. Ato që cituat ju janë të vitit 2009, nga viti 2009 ka rrjedhur shumë ujë dhe shumë ujë dhe për mirë. Shumica janë zgjidhur. Ju iu referuat disa vërejtjeve në gusht të viti 2010, por jo mbledhjes së Nëntorit 2011, nga e cila ne morëm vlerësim pozitiv. Është e lehtë të ngrejmë tymnaja, por të shohim dhe progreset”.
Sipaas Olldashit, vetëm në aviacionin civil nuk mund të spekullosh për militantizëm.
“U spekullua nga ju për militantë. Unë po ju them z.Shalësi vetëm aty nuk punësojmë mbi militantizëm, sepse duhet një administrim i mirë, e vërtetë që drejtori nuk është i fushës por ai administron. E mbajmë në punë se është profesionist, nuk është kriter profesioni, por ana profesionale. Ai është profesionist. Dhe për specialistët që folët, ne nuk kemi shkollë aviacioni dhe nuk japim certifikata kur nuk i kanë ne jemi të detyruar ti marrim nga jashtë specialistët, dhe i kemi dhënë fonde aviacionit civil të marrin me kosto 5 specialistë të huaj të shohin problemet këtu. Sepse bëhet fjalë për sigurinë e njerëzve që udhëtojnë”.

KODI AJROR, SHALËSI: AUTORITETI I AVIACIONIT CIVIL I PATRAJNUAR, EMERUAT MILITANTE 
Ora 11:00-Deputeti socialist Eduart Shalësi u shpreh sot se stafi i autoritetit të aviacionit civil përbëhet nga persona të patrajnuar për punën që bëjnë. “Drejtor një mjek me diplomë, një drejtor tjetër nuk flet anglisht, gjysma e stafit të aviacionit civil nuk ka autoritet të kryejë detyrën atje. Licensa e një operatori në Shqipëri u pezullua, por jo nga drejtori, nga një person që nuk e dimë kuhh është”. Sipas Shalesit, kjo eshte nje situate e frikshme. "Pas 20 vjet postdiktature, Shqiperia nuk ka specialiste per situaten qe flasim".

KOMPANITË AJRORE, REPLIKA TAHIRI-OLLDASHI
Ora 10:50-Deputeti socialist Sajmir Tahiri kërkoi sot më shumë informacion rreth bllokimit të linjave ajrore duke iu referuar avionëve që iu ndalua fluturimi. Sipas Tahirir kjo solli jo vetëm kaos në udhëtimin e pasagjerëve, por dëshmoi se monopoli ka kapur dhe këtë sektor të transportit. Tahiri tha se nuk ka shpjegime për linja aviacioni që nisin operojnë në treg dhe pastaj nxirrem me dhunë nga tregu. “Përmend këtu Albatross që drejtori i atëhershëm i aviacionit civil e nxorri me përdhunë nga tregu. U fut Bell Air, e dimë tashmë që për të ka preferenca politike. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Të kërkoj z Olldashi të mos bësh gabimet e ministrit të atëhershëm që sot e kemi kryetar bashkie të Tiranës. Kjo duhet ndrequr një orë e më parë, ju duhet ta sistemoni”.

Gjatë diskutimit të disa ndryshimeve në 'kodin ajror', ministri Olldashi i'u përgjigj kritikave të deputetëve të opozitës lidhur me 'situatën kaotike' në aviacionin civil dhe 'preferencat' për disa kompani ajrore që operojnë në këtë fushë.
"Në konsideratën e Ministrisë së Transporteve dhe Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) nuk kemi një situatë monopol, për sa kohë kemi 17 kompani ajrore që operojnë nga Tirana drejt destinacioneve të tjera", deklaroi ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi. Ministri sqaroi se ndërhyrja tek avionët civil pak ditë më parë nu ka lidhje me cështje konkurrence por sigurie. “Në politikat që ndjek Ministria ndaj AAC-së mban parasysh kriteret dhe standardet europiane në këtë fushë. Detyrimi ynë si administratë dhe si politikbërës është të krijojmë kushte të barabarta për të gjitha kompanitë dhe në asnjë rrethanë nuk favorizohet dhe as ndërhyhet për t'i dhënë kujt 'pjesën e luanit. Në rastin e fundit autoriteti i aviacionit civil ka ndërhyrë drejtpërdrejtë në regjistrin e avionëve shqiptar ata ishin 4. 1 i Bell air dhe 3 Albania airlines dhe kjo sepse ndërhyrja ishte për sigurinë e pasagjerëve. Këtu nuk u penalizuam vetëm Albania Airlines por edhe Bell Air. Cështja e sigurisë nuk ka lidhje me cështjen e konkurencës”.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera Buxheti 2012, nesër në Kuvend debati në parim

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›