Kodi IBAN, në përdorim brenda muajit qershor
Të gjithë individët, përfshi edhe bizneset, nuk do të mund të kryejnë asnjë transfertë ose transaksion bankar pa pasur një kod personal IBAN. Rregullorja e re u miratuar vitin e kaluar nga Banka e Shqipërisë, por iu la kohë bankave që të instalonin sistemin e ri, i cili do të vihet në zbatim më 1 qershor 2009. Ky shërbim i ri do të ketë një kosto minimale për individin, por avantazhet janë të shumta, duke nisur që te siguria e veprimit bankar. Kodi IBAN (Numri Ndërkombëtar i Llogarisë Bankare) është një sistem numerik i zhvilluar në Evropë dhe në disa vende, përjashto SHBA-në, i cili shërben për të identifikuar lehtësisht mbajtësit e llogarive bankare në vende të ndryshme. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, Elvin Meka, përmendi për "Shqip" disa avantazhe të përdorimit të kodit IBAN. "Të gjithë klientët e bankave në Shqipëri, qofshin individë apo biznese, do të kenë mundësi të kryejnë pagesa ose transferta, të brendshme dhe ndërkombëtare, me kosto më të ulët, që ekzekutohen brenda një kohe më të shkurtër dhe me saktësi maksimale, pasi llogaria bankare e përfituesit të fondeve ose pagesës kreditohet vetëm nga përdorimi i IBAN-it". Të gjitha bankat janë duke përfunduar aspektet respektive të procedurave dhe operacionet lidhur me konvertimin e llogarive të të gjithë klientëve të tyre në formatin ndërkombëtar IBAN. Vlerësohet se në vit kryhen rreth 20 milionë transferta dhe transaksione bankare. Në vitin 2001, Komisioni Evropian përcaktoi një rregullore të detyrueshme për të gjitha bankat, që përcaktonte reduktim deri në 99% të kostos së transfertave të parave, përmes përdorimit të kodit IBAN.