E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinikat dentare, një e treta e tyre janë të pasigurta

Jo pak, por shumë, rreth 1/3 e klinikave dentare private, nuk plotësojnë standardet për të ofruar shërbim stomatologjik. Alarmi vjen nga Urdhri i Mjekëve. Dine Abazi, kryetari i Urdhrit të Mjekëve në Shqipëri, ka deklaruar dje se këto klinika jo vetëm që janë të palicencuara, por kanë mungesë në plotësimin e standardeve, në përmbushjen e kushteve në infrastrukturë dhe në higjienë. "Ky është rrezik për pacientët, sepse në këto klinika rrezikohet të merren infeksione virale, si hepatitet. Por në kushtet e mungesës së energjisë elektrike, sterilizimi i pajisjeve dentare është i vështirë të kryhet siç duhet", tha Dine Abazi. Sipas tij, numri i klinikave dentare pa licencë është i lartë dhe i rrezikshëm për pacientët. Rregullat kryesore që pacientët duhet të ndjekin në rastin kur kërkojnë të kurojnë sëmundjet e dhëmbëve janë disa: kontrolli i licencës së vendosur nga Ministria e Shëndetësisë, e cila duhet të jetë e vendosur në kornizë në muret e klinikës, diploma e stomatologut dhe licenca e tij personale për dhënien e të drejtës së kryerjes së aktivitetit shëndetësor. Po ashtu, klinikat për të cilat mund të kërkojmë llogari në çdo rast janë vetëm ato që kanë licenca, për të tjerat as shteti dhe as pacienti nuk mund të denoncojnë rastet e abuzimit. Klinikat stomatologjike të palicencuara në të gjithë vendin, e në mënyrë të veçantë në qytetet e mëdha, janë të vështira të gjenden dhe të penalizohen.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nga kontrollet e kryera, klinika të tilla janë gjetur në bodrume, në vende të futura, në zonat periferike, informale dhe në mënyrë të veçantë në ambiente ku nuk plotësohen as kushtet minimale të dhënies së shërbimit.

Një numër i lartë pacientësh të infektuar nga hepatitet virale e ka marrë virusin te dentisti. Kjo për shkak të mungesës së plotësimit të kushteve sterilizuese, apo gabimeve mjekësore.

Elementët e tillë kryesorë për punën e një dentisti dhe për kujdesin e pacientit janë vendimtare jo vetëm për kujdesin e higjienës së gojës, por të të gjithë organizimit të qytetarit.

Një klinikë pa licenca, pa emër, pa tabelë, në bodrume, në rrugica të futura, në zona periferike dhe informale, nuk i sugjerohet asnjë pacienti në të gjithë vendin, pavarësisht kushteve ekonomike që mund të ndodhen.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›