Kodi, LSI-ja kërkon ndryshime edhe për administrimin e zgjedhjeve
Lëvizja Socialiste për Integrim ka përshëndetur rikthimin e Kodit Zgjedhor në Komisionin e Reformës Zgjedhore, ndërkohë që shprehu gatishmërinë e saj për të kontribuar në korrigjimin e Kodit të ri Zgjedhor edhe për pjesët e kontestuara të tij, siç është veçanërisht procesi i administrimit të zgjedhjeve. “Neve na vjen shumë mirë që ka një qëndrim për rikthimin e Kodit Zgjedhor në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Sigurisht është një vlerësim për t’u përshëndetur. Ne për këtë kemi sakrifikuar. Ne kemi sakrifikuar edhe me grevë urie që të bëjmë një kod sipas standardeve europiane, të bëjmë një kod që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme vitin e ardhshëm. Vendimi për ta kaluar sërish Kodin, pra jo për të kaluar në mënyrë të rrufeshme dekretin e Presidentit, por për ta sjellë përsëri Kodin në Komisionin e Reformës Zgjedhore për t’i bërë përmirësimet e duhura, ka vetëm përshëndetjet dhe mbështetjen e LSI-së. Ne do të kontribuojmë në atë komision që Kodi, i cili do të kalohet nga Parlamenti përsëri, të jetë vetëm sipas standardeve europiane dhe të garantojë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta për të gjithë”, - deklaroi disa ditë më parë nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti. Kryetari i Grupit Parlamentar e Majta për Integrim, Pëllumb Xhufi, gjatë një prononcimi publik tri ditë më parë e konsideroi kthimin e Kodit në komisionin e posaçëm parlamentar si shansin e fundit për korrigjimin e këtij Kodi të kontestuar. Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, u bëri thirrje partive politike, kryesisht PD-së dhe PS-së, që të korrigjojnë Kodin e ri Zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it si dhe me shqetësimet e shprehura nga faktori ndërkombëtar. “Lëvizja Socialiste për Integrim gjykon se ky është çasti i fundit për të bërë rregullimet e fundit të Kodit në përputhje me frymën dhe standardet europiane, por edhe për të përmbushur rekomandimet specifike të OSBE-ODIHR-it dhe së fundmi dhe ato të Komisionit Europian, të cilat janë bërë nëpërmjet zëdhënëses së komisionerit Oli Rehn, zonjës Kristina Nagi, dhe që kërkon përfshirje në dialog të të gjitha partive të tjera”, - tha Xhufi.
16 Dhjetor 2008