E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti, ja përse nuk e dekretoi Kodin



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vendosi më 3 dhjetor të mos dekretonte ligjin për Kodin e ri Zgjedhor të miratuar nga partitë kryesore, PS dhe PD, në fund të muajit të kaluar. Presidenti Topi ka gjykuar t’ia kthejë Kuvendit për rishqyrtim këtë ligj, pasi Neni 9, që ka të bëjë me shpalljen e datës së zgjedhjeve, është formuluar në mënyrë paradoksale. Presidenti Topi i drejtoi një letër Kuvendit të Shqipërisë në të cilën shpjegon arsyet e mosdekretimit të ligjit për Kodin e ri Zgjedhor.
“Arsyeja, për të cilën nuk e dekretova këtë ligj, lidhet me dispozitën e Nenit 9, Pika 2 e tij. Duke qenë se Neni 65, Pika 2 e Kushtetutës, përcakton se, “zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit”, atëhere periudha zgjedhore brenda së cilës duhen zhvilluar zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme për Kuvendin është periudha 15 mars deri më 30 qershor. Neni 9, pika 2 e ligjit të ardhur për shpallje ka përcaktuar detyrimin e Presidentit të Republikës për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit, pra, një afat i cili nuk mund të respektohet për periudhën zgjedhore 15 mars – 30 qershor. Ligji është dërguar për shpallje te Presidenti i Republikës në datën 24.11.2008 dhe procedura e dekretimit të ligjit nga Presidenti i Republikës, publikimit në Fletoren Zyrtare dhe hyrjes në fuqi të tij, parashikon një periudhë kohore të caktuar duke krijuar kështu pamundësi reale për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve për periudhën zgjedhore 15 mars – 30 qershor”, - thuhej në këtë letër.

16 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›