E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndihma ekonomike, do të largohen nga skema 20 mijë familje

 

Drejtori i Inspektimit të Pagesave në SHSSH, Strazmiri, pohon se do të rritet NE-ja me 10 %. Numri i përfituesve do të ulet

Mijëra familje do të përjashtohen nga skema e ndihmës ekonomike. Por, nga ana tjetër, ndihma ekonomike (NE-ja), do të përfitojë rritje. Madje, që në fillim të vitit 2009, rritja do të fillojë me 10 % më shumë nga sa është momentalisht. Këtë deklaroi për gazetën, drejtori i Inspektimit të Pagesave pranë Shërbimit Social Shtetëror, Leonard Strazimiri, i cili theksoi se në vitin 2009, fondi për NE-në do të shkojë 4.2 miliardë lekë.

Spastrimi

Aktualisht, në skemën e ndihmës ekonomike, trajtohen rreth 93662 familje, ku me ndihmë të plotë trajtohen rreth 33714 familje dhe me ndihmë të pjesshme 59948 familje. Por, nga kjo skemë, pritet të ketë spastrime me mijëra familje. “Ecuria e skemës së ndihmës ekonomike, parashikohet të vijë në ulje, pra, numri i familjeve përfituese, do të pësoje ulje. Kjo është e parashikuar dhe në strategjinë sektoriale të mbërritjes sociale, të miratuar me vendim qeverie në muajin janar të këtij viti”,- thekson Strazimiri, duke shpjeguar se në këtë vendim parashikohen dhe hapat që do të ndiqen për reduktimin e kësaj skeme, deri në vitin 2013. Sipas drejtorit, mendohet që numri i familjeve përfituese në skemën e ndihmës ekonomike, të shkojë në 70000 familje dhe masa e ndihmës ekonomike për familje, të tentoje arritjen e treguesit të nivelit të varfërisë (2$ në ditë për person). Ndërkohë, ai shpjegon se ndihma ekonomike është e plotë, kur familjet përfituese nuk kanë të ardhura, dhe e pjesshme, kur familjet pretenduese kanë të ardhura të pamjaftueshme.

Përfitimi

Familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, do të përfitojnë rritje me 10 %, por vetëm ato që e përfitojnë brenda kritereve, pasi familjet abuzuese do të përjashtohen. Sipas Strazimirit, Ministria e Punës ka propozuar që familjet e varfra të ndihmohen me një shtesë financiare prej150 milionë lekësh, në fondin e ndihmës ekonomike. Programi i ndihmës ekonomike, sipas tij, mbështet me pagesë mujore familjet pa të ardhura, ose me të ardhura të pamjaftueshme. Kështu, përfitues do të jenë jetimet e papunë, mbi 25 vjeç, jetimët e moshës 18-25 vjeç, të cilët nuk janë të vendosur në institucionet e shërbimeve shoqërore, ose nën kujdestari,prindërit e fëmijëve të lindur trinjak e me shumë. “Ndihma ekonomike jepet 40% në zonat urbane dhe rreth 60% në zonat rurale. Alokimi i fondeve të ndihmës ekonomike, bëhet mbi bazën e treguesve statistikorë, që dërgohen nga njësitë e qeverisjes vendore. Këto të fundit paraqesin nevojat e tyre për fonde, duke u mbështetur në strukturën e familjeve përfituese, si dhe në të ardhurat që siguron familja nga toka dhe veprimtaritë e tjera prodhuese”,- shpjegon Strazimiri.

93662 familje trajtohen, aktualisht, me ndihmë ekonomike në vendin tonë

70000 familje do të jenë në skemë, deri në vitin 2013, në vendin tonë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›