Ministri Basha: Projekti im për një “Shengen ballkanik”
Shqipëria apelon liberalizim të vizave për shqiptarët në zonën Shengen, proces i cili shërben edhe në çlirimin e energjive të reja për rritjen ekonomike. Para diplomatëve shqiptarë, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, propozoi dje liberalizimin e vizave mes vendeve të rajonit. Deklarata e kryediplomatit shqiptar u bë dje në ditën e dytë të punimeve të konferencës së ambasadorëve që po zhvillohet në Tiranë për 4 ditë me radhë. Në konferencën e djeshme z. Basha u bëri thirrje homologëve diplomatë të vendeve të rajonit të punojnë për liberalizimin e vizave mes këtyre vendeve. Sipas tij, krijimi i një zone të lirë tregtare për Evropën Juglindore është tashmë një arritje konkrete e integrimit tonë rajonal. “Por ky proces integrimi tregjesh nuk është i plotë dhe nuk mund të jetë funksional pa sigurimin e kushteve për lëvizjen e lirë të qytetarëve në rajon”, - tha shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha. Ministri i Jashtëm e cilësoi paradoksal faktin që dialogu për liberalizimin e vizave me BE-në avancon, ndërkohë që një veprim i tillë nuk është arritur ende mes vendeve të Evropës Juglindore (ambasadorët e të cilave ishin pjesëmarrës në këtë aktivitet). “Është paradoksale dhe e pashpjegueshme që ndërkohë që avancojmë me dialogun e liberalizimit të vizave me BE-në, ne ende nuk e kemi arritur këtë mes nesh. Nga Tirana deri në kufirin slloven duhen kaluar 5 pika kufitare, 5 kontrolle, 5 ndalesa me orë të tëra të humbura, sidomos në sezonin turistik, ndërkohë që nuk ka asnjë të tillë nga Sllovenia deri në pikën më të largët me Finlandën”, - deklaroi z. Basha. Ai vuri në dukje se heqja sa më parë e vizave dhe e kontrolleve kufitare të panevojshme çliron energjitë e sipërmarrjes, ul kostot për individët e ndërmarrjet, rrit kontaktet njerëzore, shton aktivitetet reciproke, i shërben mobilitetit turistik dhe favorizon njohjen me njëri-tjetrin. Kryediplomati shqiptar shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të hyrë në negociata me të gjitha vendet e rajonit dhe të përfundojë marrëveshjet e lëvizjes së lirë, siç u bë këtë vit me Maqedoninë duke shengenizuar sa më parë rajonin tonë. “Ne kemi kërkuar, jemi të gatshëm dhe presim që me të gjitha vendet e rajonit të negociojmë e përfundojmë marrëveshje të lëvizjes së lirë, siç kemi bërë këtë vit me Maqedoninë, duke e "shengenizuar" sa më parë rajonin tonë. Konkretizimi i hapave në këtë drejtim duhet të vazhdojë të jetë një nga prioritetet e bashkëpunimit të vendeve tona për periudhën afatshkurtër”, - u shpreh z. Basha. Sipas tij, takimi i ministrave të Brendshëm dhe atyre të Drejtësisë të rajonit me BE-në, në Zagreb me 6 dhe 7 nëntor 2008, duhet të shfrytëzohet maksimalisht edhe për këtë qëllim”. Konferenca e ambasadorëve nisi punimet para dy ditëve dhe do të zhvillohet deri më 31 tetor. Punimet e saj u përshëndetën nga ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, i cili në takimet që zhvilloi me krerët më të lartë të vendit, u shpreh se liberalizimi i vizave për shqiptarët mund të konkretizohet në qershor të 2009-ës.